Ekip
27 Prill 2018•Përditësim: 27 Prill 2018
SEUL (AA) – Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, përshëndeti liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un sot gjatë takimit në samitin e tretë të dy Koreve dhe i pari që nga viti 2007, transmeton Anadolu Agency (AA).
Moon dhe Kim shtrënguan duart në zonën e përbashkët të sigurisë ndërkufitare të Panmunjom dhe më pas udhëheqësi i pjesës jugore të gadishullit pranoi ftesën e papritur për të kaluar shkurtimisht në anën veriore.
Më pas liderët u drejtuan drejt territorit të Koresë së Jugut së bashku për bisedime, të cilat para orëve të mbrëmjes pritet të kenë dy seanca.

Zyra presidenciale në Seul bëri të qartë se një samit i suksesshëm mund të nënkuptojë marrjen e hapave konkretë drejt denuklearizimit të Koresë së Veriut.
Nga ana tjetër, Kim tashmë ka njoftuar "ngrirjen" e testeve bërthamore dhe raketore ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që lideri i Koresë së Veriut të shkon dhe një hap më tej, në qoftë se dëshiron që vendit të tij t'i hiqen sanksionet globale.
"Do të mbahen bisedime të mira me presidentin Moon, me qëndrim të drejtpërdrejtë, të sinqertë dhe të arrijmë në një rezultat të mirë", ka thënë Kim gjatë takimit në transmetimit direkt televiziv.
Nga ana e tij, Moon vlerësoi ndryshimin e Panmunyomin nga simboli i ndarjes në simbolin e paqes. Kufiri u ruajt fuqishëm nga fundi i Luftës së Koresë, e cila zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953. Ajo përfundoi me një armëpushim dhe jo me një marrëveshje paqësore.

Pasi që filloi Samiti i dy udhëheqësve, Shtëpia e Bardhë ka shprehur optimizëm se bisedimet do të sjellin progres drejt paqes deri tani të paarritshme në Gadishullin Korean.
"SHBA çmon koordinimin e ngushtë me aleatin tonë, Republikën e Koresë dhe pret vazhdimin e diskutimeve të forta në përgatitje për takimin e planifikuar mes presidentit Donald Trump dhe Kim Jong-un, në javët e ardhshme", tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Liderët e Koresë së Veriut dhe të Jugut mbollën së bashku një pemë
Është duke vazhduar samiti historik, ku lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un u takua me presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in në zonën e përbashkët të sigurisë ndërkufitare të Panmunyom.
Sipas lajmit të agjencisë së Koresë së Jugut, Yonhap, pas takimit të mëngjesit, Kim është kthyer përsëri në pjesën veriore të zonës së sigurisë e cila i përket Koresë së Veriut. Ai më pas për programin e pasdites përsëri e kaloi vijën kufitare ushtarake dhe u takua me presidentin Moon.

Moon dhe Kim në pjesën e parë të programit të pasdites mbollën së bashku një pemë “me shpresën që të jetë simbol i paqes dhe mirëqenies në Gadishullin Korean”.
Liderët në rrënjët e pemës hodhën dheun e sjellë nga mali Hallasan në Korenë e Jugut dhe nga mali Paektu në Korenë e Veriut. Kim e ujiti pemën me ujin e sjellë nga lumi Han i Jugut, kurse Moon me ujin nga lumi Daedong të Veriut.
Pranë pemës u vendos një përmendore mbi të cilin janë shënuar emrat e dy liderëve. Në përmendore ndodhet mbishkrimi “Këtu po e mbjellim paqen dhe mirëqenien”.
Në vitin 2007 në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, u mbajt një Samit Ndërkorean, ku ishin takuar presidenti i atëhershëm i Koresë së Jugut, Roh Moo-hyun dhe lideri i Koresë së Veriut, babai i Kim-it, Kim Jong-il, të cilët si përkujtim të samitit kishin mbjellur së bashku një pemë.
Para njoftimit me një konferencë për media në lidhje me rezultatet e samitit një ditor, të dy udhëheqësit do të bëjnë një ecje të shkurtër ku edhe do të bisedojnë. Samiti do të përfundojë me darkën e cila do të mbahet nën përkujdesjen e Moon-it.