Tufan Aktaş
10 Shtator 2018•Përditësim: 11 Shtator 2018
ADDIS ABABA (AA) - Popullata në Etiopi, shtet në Afrikën Lindore, i cili ka kalendarin unik të saj, përgatitet që të hyjë në "vitin 2011", shkruan Anadolu Agency (AA).
Në çarshitë dhe pazaret e kryeqytetit Addis Ababa ka një lëvizhmëri për vitin e ri që do të festohet më 11 shtator, ndërsa kishat, qendrat argëtuese, restorantet dhe hotelet kanë bërë përgatitje për ndërrimin e motmoteve.
Sikurse çdo vit, edhe këtë vit qeveria e Etiopisë njoftoi amnistimin e 9.000 të burgosurve deri më tani me rastin e vitit të ri.
Data 11 shtator është shpallur festë zyrtare.
Kalendari dhe ora unike
Kalendari i Etiopisë është i bazuar në diellin, ndërsa e ndjek kalendarin gregorian me 7 vjet e 8 muaj dhe 11 ditë.
Kalendari i Etiopisë, ose me termin e vjetër Kalendari Habeshe, llogaritet edhe si kalendar fetar nga të krishterët etiopianë.
Ky kalendar ka ngjashmëri me kalendarin e krishterëve koptik të Egjiptit, ndërsa në të gjenden 12 muaj nga 30 ditë si dhe muaji i 13-të me nga 5 ose 6 ditë të shtuara (epagomenale).
Sipas këtij kalendari, viti i ri festohet çdo vit më 11 ose 12 shtator.
Në Etiopi gjithashtu është në përdorim edhe sistemi i ndryshëm i orës, ku dita përbëhet prej dy pjesëve nga 12 orë. Pjesa e parë prej 12 orëve fillon në mëngjes në ora 06:00 ndërsa pjesa e dytë në ora 18:00.