Handan Kazancı
03 Dhjetor 2018•Përditësim: 03 Dhjetor 2018
CARACAS (AA) - Në kuadër të turneut në Amerikën Latine, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mbrëm vonë ka mbërritur për vizitë zyrtare në Venezuelë, raporton Anadolu Agency (AA).
Delegacioni i presidentit turk në aeroportin e qytetit Caracas u prit nga zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ministri i Punëve të Jashtme, Jorge Arreaza dhe ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino.
Me delegacionin turk, të kryesuar nga presidenti Erdoğan dhe bashkëshortja e tij Emine Erdoğan, kanë udhëtuar edhe ministri turk i Energjisë, Fatih Dönmez, ministri i Thesarit, Berat Albayrak, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, si dhe ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan.
Erdoğan në Caracas do të takohet me homologun e tij venezuelian Nicolas Maduro, ndërsa pas takimit udhëheqësit e dy shteteve do të nënshkruajnë disa marrëveshje dypalëshe.
Delegacioni turk në Caracas po ashtu do të marrë pjesë edhe në forum biznesin Turqi-Venezuelë.
Erdoğan fundjavën e kaluar në Buenos Aires të Argjentinës mori pjesë në samitin e udhëheqësve të vendeve të G20-tës, ndërsa dje qëndroi për vizitë zyrtare në Paraguaj.