Emiratet e Bashkuara Arabe do të importojnë mallrat e vendbanimeve izraelite
"Kompanitë e kolonëve që prodhojnë verë, tahini, vaj ulliri dhe mjaltë kanë nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e shpërndarjes 'Dubai Fam Holding' për të eksportuar produktet e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe", raportoi 'The Jerusalem Post'

Kuds
Sipas të përditshmes izraelite "The Jerusalem Post", kompanitë izraelite në vendbanimet e ndërtuara në tokat e pushtuara palestineze do të eksportojnë mallra në Emiratet e Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kompanitë e kolonëve që prodhojnë verë, tahini, vaj ulliri dhe mjaltë kanë nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e shpërndarjes 'Dubai Fam Holding' për të eksportuar produktet e tyre në Emiratet e Bashkuara Arabe", raportoi 'The Jerusalem Post', duke cituar një këshill për vendbanimet izraelite në veri të Bregut Perëndimor.
Produktet e vendbanimeve izraelite konsiderohen të paligjshme nga rezolutat e Ligës Arabe.
Duke e komentuar marrëveshjen e cila u nënshkrua në Dubai, kreu i këshillit të vendbanimeve, Yossi Dagan, tha se ata "po ndërtojnë një histori".
"Zona Samaria që unë përfaqësoj është e vendosur në zemrën e shtetit izraelit", tha Dagan, duke iu referuar tokave të pushtuara palestineze në pjesën veriore të Bregut Perëndimor.
Nga ana tjetër, shefi ekzekutiv i 'Dubai Fam Holding', Faisal Ali Mousa, duke folur për marrëveshjen tha se, "Ky është një qëllim shumë i madh që kemi arritur sot".
Më 15 shtator, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan dy marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Izraelin në një lëvizje që ngjalli zemërim midis palestinezëve, të cilët thonë se marrëveshjet injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë çështjes palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.