Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdoğan, u nderua sot me çmimin "Ndryshimbërësit" (Changemaker) për "përpjekjet e jashtëzakonshme frymëzuese, iniciativave dhe partneriteteve inovative të cilat kanë ofruar zgjidhje të zgjuara për sfidat globale", raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, gruaja e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, mori çmimin në Forumin Humanitar Botëror, i cili po mbahet në Londër.
"E pranoj këtë çmim në emër të popullit turk bujar, zemra e të cilit vuan kur sheh një fëmijë të përlotur dhe e konsideron një të huaj si mysafir i Zotit, e jo me dyshim", tha Erdoğan në fjalimin e saj të gjatë marrjes së çmimit.
"Ndihem shumë krenare për faktin se vendi im kujtohet me qasjen e barazisë dhe gjithëpërfshirëse që ka miratuar në mbylljen e plagëve të botës", tha ajo.
Erdoğan theksoi "historia është plot me luftëra, fatkeqësi, lot dhe gjak".

"Ndërsa disa pjesë të botës kanë etje për paqe, besim dhe stabilitet, gjysma tjetër as nuk e kupton se është njerëzia që po zhduket nga faqja e dheut", tha ajo.
"Për fat të keq, bota në të cilën jetojmë është duke kaluar nëpër kriza të mëdha humanitare, pavarësisht nga pohimet për zhvillim dhe qytetërim të shekullit të 21-të", shtoi ajo.
"Detyra jonë si individë dhe shoqëri është të zgjedhim për t'u bashkuar me të mirën, apo të keqen", tha zonja e parë e Turqisë.
"Kombi më bujar"
Duke shpjeguar programet humanitare të Turqisë, Emine Erdoğan tha se Turqia "është konsideruar si vendi më bujar i botës me institucionet qeveritare dhe me organizatat e shoqërisë civile".
Ajo tha se Turqia është "aktualisht donatori më i madh humanitar në botë, duke marrë parasysh raportin e ndihmave humanitare kundrejt prodhimit të brendshëm bruto".
"Ky qëndrim përfshihet brenda politikës së jashtme proaktive turke, e cila mbështet paqen dhe stabilitetin në gjithë botën", shtoi ajo.

Duke dhënë detaje të përpjekjeve humanitare nga agjencitë turke anembanë globit, Erdoğan tha se asistenca e Turqisë nuk kufizohen vetëm në kuti me ndihma humanitare që dërgohen në raste emergjencash.
"Përtej të gjitha kalkulimeve politike, është besimi në idenë e drejtësisë globale. Kjo eliminon varësinë e palës që pranon ndihmën dhe është vepër e ndërgjegjes larg mendësisë së kolonializmit", u shpreh Erdoğan.
"Asistenca humanitare gjithmonë bazohet në ruajtjen e dinjitetit njerëzor", theksoi ajo.
Siria
Erdoğan tha se Turqia ka qenë "strehuesi më i madh i të zhvendosurve për shkak të luftës siriane që po vazhdon nga viti 2011".
"Me politikën tonë të dyerve të hapura, ne i mirëpritëm pa kushte në vendin tonë njerëzit që ikën nga armët", tha ajo.
"Ne kemi miratuar një politikë të mosdëbimit për të gjithë sirianët", shtoi ajo, duke iu referuar politikës turke që ndalon kthimin e azilkërkuesve në vendet ku mund të përballen me persekutim.
"Institucionet ndërkombëtare, veçanërisht Kombet e Bashkuara, lavdërojnë kampet tona të refugjatëve. Këto kampe nuk kanë erë të mbeturinave apo kanalizimeve. Nuk ka fëmijë që ngrihen nga të ftohtit, dysheme me baltë apo tenda të lagura", potencoi Erdoğan, duke thënë se Turqia ka lënë "gjurmë të paqes, besimit dhe dashurisë", në shumë vende.
Ajo tha se një çështje tjetër për të cilën Turqia kujdeset është persekutimi i muslimanëve në Arakan.
"Përveç ndërtimit të 2.070 shtëpive prej bambusë, projekti në vazhdim për ndërtimin e 2.500 shtëpive në rajon është dhurata jonë për njerëzimin", deklaroi Erdoğan.
Afrika
Emine Erdoğan tha se Afrika përbën një "kapitull në vetvete" për Turqinë.
Ajo tha se janë duke u zhvilluar projekte të shumta në arsimin profesional, infrastrukturën administrative dhe civile, në kujdesin shëndetësor dhe në zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë në gjithë kontinentin.
"Asistenca totale e ofruar në kontinentin afrikan nga vendi ynë midis viteve 2010 dhe 2017 tejkalon shumën prej dy miliardë dollarëve", tha ajo.