Büşra Selvi Öğütcen
03 Tetor 2017•Përditësim: 03 Tetor 2017
QUITO (AA) - Zëvendëspresidenti i Ekuadorit, Jorge Glas u arrestua për përfshirje në një skandal korrupsioni në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykata e Lartë e Ekuadorit mori vendimin për arrestimin e zv.presidentit, Jorge Glas pas akuzave për ryshfet nga kompania ndërtimore braziliane Odebrecht, për të fituar punë të ndryshme në tenderë.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Miguel Jurado pranoi kërkesën e prokurorëve që kryejnë hetimet dhe vendosi që Glas të arrestohet që të mos ikë jashtë vendit.
Glas fillimisht u dëgjua në shtëpinë e tij në qytetin Guayaquil, dhe pas kësaj me avion u dërgua në kryeqytetin Quito, ku aktualisht ndodhet në paraburgim.
Vetëm disa minuta para arrestimit, Glas publikoi një video në të cilën tha se do të pranonte vendimin për arrest, por tha se ky proces ishte bazuar në deklarata të rreme dhe gabime të mëdha procedurale.
"Të pafajshmit nuk kanë arsye për të ikur", tha Glas.
Në gusht të këtij viti, Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno mori autorizimet e zëvendësit të tij, Glas.
Mediat njoftuan më pas se kishte audio-regjistrime ku mund të dëgjohet se Glas kërkon ryshfete nga një zyrtar i kompanisë braziliane Odebrecht.
Megjithatë, Glas hodhi poshtë akuzat ndaj tij.