Büşra Selvi Öğütcen
08 dhjetor 2016•Përditësim: 09 dhjetor 2016
WASHINGTON (AA) - Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Ambientit (IUCN) njoftoi se vitin 1985 në Afrikë kanë jetuar mes 151.000 dhe 163.000 gjirafa, ndërkohë që numri i tyre në vitin 2015 ka qenë 97.562, shifra këto që ngrenë alarmin se këto kafshë rrezikojnë zhdukjen, raporton Anadolu Agency (AA).
IUCN ka vendosur gjirafat në “listën e kuqe”, në të cilën gjenden kafshët të cilat rrezikojnë zhdukjen e plotë. Shifrat e lartpërmendura flasin se për tre dekada është zhdukur një e treta e gjirafave.
Në takimin të mbajtur të mërkurën në Meksikë, IUCN ka rritur nivelin e rrezikimit edhe për 35 lloje të kafshëve, ndërsa për shtatë lloje alarmi është zvogëluar.
Kryesuesit me grupin e biologëve të cilët kanë vendosur gjirafën në “listën e kuqe”, Julian Fennessy dhe Noelle Kumpel, theksuan se gjirafat po zhduken në heshtje pasi i tërë përqendrimi është bërë te elefantët të cilët janë për katër herë më shumë në numër.
Fennesy, që është njëri nga udhëheqësit e Fondit për mbrojtjen ne gjirafave, theksoi se njerëzit mendojnë se gjirafat jetojnë kudo, por që situata nuk është e tillë. Ai shtoi më tej se ne Afrikën e Mesme dhe në atë Lindore njerëzit kanë populluar habitatet e gjirafave për çka numri i tyre është zvogëluar, ndërkohë që numri është rritur në jug të Afrikës.
IUCN ka vërejtur gjithashtu se në nivel botëror janë zhdukur 860 lloje të kafshëve mishngrënëse dhe bar ngrënëse dhe rreth 13.000 lloje tjera rrezikojnë zhdukjen.