Emre Gürkan Abay
23 dhjetor 2015•Përditësim: 23 dhjetor 2015
MOSKË (AA) - Çmimi i naftës, më i ulëti në 11 vitet e fundit po çon rublën ruse në nivelin rekord të ulët, në kohë kur pritet që dinamika e tregut të ushtrojë presion akoma më të madh mbi valutën ruse, thonë ekspertët për Anadolu Agency (AA).
“Për momentin, tregu i naftës shënon një trend të rënies dhe siç duket nuk do të ndalet. Prandaj pres që rubla të shënojë rënie", deklaroi Oleg Shibanov, drejtor i programit për Master i Shkencës së Financave, në "Universitetin e Ri Ekonomik" në Moskë.
Ekonomia ruse është e varur shumë nga eksporti i hidrokarbonit, me mbi 50 përqind të të ardhurave që derivojnë nga shitja e resurseve të naftës dhe gazit.
Nga qershori i vitit 2014-të, çmimet e naftës kanë rënë për 60 përqind që për momentin variojnë rreth 36 dollarë për një fuçi.
"Nëse shkon nën 25 dollarë për një fuçi atëherë duhet të brengosemi seriozisht", tha Shibanov për të shtuar se ulja e madhe ndikon në deficitin e buxhetit që do të rezultojë me ulje të çmimit të rublës.
Banka Qendrore e Rusisë thotë se 50.2 miliardë dollarë kanë dalë nga shteti në periudhën janar-tetor të këtij viti krahasuar me 105.3 miliardë sa kanë dalë vitin e kaluar.
Duke komentuar presionin e mundshëm mbi ekonominë e Rusisë nga ana e Rezervave Federale lidhur me vendimin e javës së kaluar për shkallën e interesit, eksperti ekonomik Oleg Buklemishev, tha se një veprim i tillë ka qenë i pritur ndërsa reagimi i tregut të Rusisë ka qenë i heshtur.
“Natyrisht, nëse vazhdon ngushtimi kjo do të sjellë ribalanc të sistemit global të rendimentit dhe rrezikut por besoj se krahasuar me faktorët specifik të Rusisë, ky efekt nuk do të jetë i rëndësishëm", tha Buklemishev.