Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Hamdi Yıldız
20 Shkurt 2018•Përditësim: 20 Shkurt 2018
KAJRO (AA) - Vendkalimi kufitar Refah, i cili është pika e vetme e Gazës që lidh atë me botën e jashtme, duke filluar nga dita e mërkurë do të hapet për 4 ditë në të dyja kahjet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e bërë nga Ambasada e Palestinës në Kajro, thuhet se administrata e Egjiptit nga nesër do të hapë vendkalimin kufitar për 4 ditë.
Ndërsa pala egjiptiane nuk bëri ndonjë njoftim lidhur me hapjen e vendkalimit kufitar.
Ndërkohë dje vendkalimi ishte hapur për kohë të shkurtër për kalimin e 69 personave të bllokuar rreth 10 ditë në anën egjiptiane.
Qeveria e Egjiptit pas grusht shtetit në këtë vend më 3 korrik të vitit 2013, mbylli vendkalimin kufitar Refah, të cilin e hap në periudha të shkurtra kohore.
Gjashtë prej shtatë vendkalimeve kufitare në Gaza janë nën kontroll të Izraelit, përveç Refahut, që është nën kontroll të Egjiptit. Katër prej këtyre gjashtë vendkalimeve të cilat përdoreshin për qëllime tregtare, pas fitores së zgjedhjeve dhe marrjes së detyrës nga Hamasi në qershor të vitit 2007 ishin mbyllur nga Izraeli.
Ndërkaq, nga dy vendkalimet e tjera, Bejt Hanun përdoret për kalimin e atyre që kanë pasaporta të huaja, të sëmurëve dhe biznesmenëve në Bregun Perëndimor. Kurse vendkalimi Kerm Ebu Salim përdoret për kalimin e disa produkteve tregtare. Kerm Ebu Salim dhe Bejt Hanun shpesh po mbyllen për arsye të ndryshme.