Servet Günerigök
01 Qershor 2021•Përditësim: 02 Qershor 2021
E dërguari amerikane në Kombet e Bashkuara (OKB), Linda Thomas-Greenfield, do të qëndrojë për vizitë në Turqi në datat 02-04 qershor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Misioni i SHBA-së në OKB njoftoi se udhëtimi do të "përqendrohet në mbështetjen e gjerë të siguruar nga OKB-ja dhe agjencitë e saj partnere për të përmbushur nevojat e tmerrshme humanitare në Siri".
"Ambasadorja do të takohet me zyrtarë të lartë turq për të diskutuar mundësitë e forcimit të marrëdhënieve SHBA-Turqi, punën me aleatin tonë të NATO-s për të adresuar sfidat globale dhe përmirësimin e bashkëpunimit në Siri, përfshirë menaxhimin e krizës së refugjatëve, njohjen e rolit kyç të Turqisë në lehtësimin e ndihmës ndërkufitare dhe sigurimin e strehimit për miliona refugjatë sirianë", tha misioni i SHBA-së.
Gjatë udhëtimit, Thomas-Greenfield do të takojë një grup refugjatësh, si dhe do të zhvillojë takime me partnerë të organizatave joqeveritare dhe agjenci humanitare të OKB-së që punojnë për të ndihmuar sirianët.
"Ambasadorja Thomas-Greenfield do të theksojë nevojën urgjente për kalime shtesë dhe ndihmë të përshpejtuar ndërkombëtare, pasi nuk ka asnë alternativë praktike për të lehtësuar nevojat e mëdha të popullatave të prekshme në veri të Sirisë, nevoja që janë përkeqësuar nga pandemia COVID-19", thuhet në njoftim.