Mahmoud Barakat
20 Qershor 2019•Përditësim: 21 Qershor 2019
Gjersa kriza midis shteteve arabe të Gjirit hyn në vitin e tretë, Katari mbetet sfidues dhe "më i fortë" se më parë, shprehet ambasadori i vendit në Ankara, Mubarak Al Shafi.
"Shteti i Katarit ka dalë më e fortë nga kjo bllokadë, por vështirësitë sociale ende ekzistojnë", tha Al Shafi në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA).
Megjithatë, diplomati theksoi se qytetarët e Katarit ende përballen me vështirësi për shkak të lidhjeve të tyre "të rrënjosura" me njerëzit e vendeve që kanë vendosur bllokadën dhe investimeve që kanë atje.
Katër shtete arabe kanë ndërprerë marrëdhëniet me Katarin që nga 5 qershori i vitit 2017, kur ato akuzuan Dohën për mbështetje të terrorizmit.
Blloku arab gjithashtu imponoi një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore ndaj Katarit, me qëllim për ta detyruar atë të përmbush një listë të gjatë të kërkesave të parashtruara për Dohën.
Katari, nga ana e tij, ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke përshkruar embargon e udhëhequr nga Arabia Saudite si shkelje e së drejtës ndërkombëtare.
Ambasadori theksoi se qasja e mençur për zgjidhjen e krizës kërkon që të katër vendet të rishikojnë pozicionin e tyre dhe të tërheqin "akuzat e tyre të rreme".
"Katari e ka mbajtur derën hapur për dialog dhe pajtim", tha Al Shafi.
Ai pohoi se Katari e sheh unitetin e shtetit të Gjirit të domosdoshëm për t'u përballur me sfidat aktuale rajonale.
Al Shafi vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet e Katarit me Turqinë, që janë rritur veçanërisht pas krizës së Gjirit.
"Marrëdhëniet Katar-Turqi po lëvizin drejt një shkëlqimi dhe harmonie më të madhe, veçanërisht në nivelin e politikës së jashtme", tha ambasadori.
Ai ia atribuoi marrëdhëniet e mira "kujdesit të dy vendeve për gjetjen e zgjidhjeve për problemet dhe jo shkaktimin e tyre".