Ahmet Gürhan Kartal
03 Qershor 2019•Përditësim: 03 Qershor 2019
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump ka arritur në Britani të Madhe për të filluar vizitën zyrtare treditore në këtë vend me ftesë të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, raporton Anadolu Agency (AA).
I shoqëruar nga Zonja e Parë Melania Trump dhe grupi shoqërues, presidenti u mirëprit në Aeroportin Stansted nga Sekretari i Jashtëm, Jeremy Hunt nën masa të rrepta të sigurisë.
Vizita e Trumpit erdhi disa ditë para largimit të kryeministres Theresa May nga detyra si rezultat i dështimit në strategjitë e Brexit-it.
Mbretëresha do të mirëpresë presidentin amerikan në Pallatin Buckingham me një ceremoni zyrtare dhe do të organizojë një banket zyrtar në mbrëmje.
Trump pritet të realizojë bisedime me May, me të cilën pritet që mes tjerash të diskutojnë marrëdhëniet tregtare midis Britanisë dhe SHBA-së pas Brexit-it
Trump do të vizitojë Portsmouth-in për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 75 vjetorit të Invazionit në Normandi.
Veprimet kontroverse
Vizita e Trumpit është përshkruar si vizita më kontroverse nga një president amerikan në Britani.
Të martën në qendër të Londrës janë planifikuar protesta, ku dhjetëra mijëra njerëz pritet të jenë pjesë e një tubimi në Sheshin Trafalgar.
Trump ka shkaktuar tashmë polemika para vizitës së tij, pasi bëri komente mbi Brexit-in, temën më aktuale në Britani në tri vitet e fundit dhe për politikën e brendshme të vendit pasi ofroi mbështetje të hapur për ish-sekretarin e Jashtëm Boris Johnson, i cili po kandidon për kryesinë e Partisë Konservatore.
Trump gjithashtu ka zemëruar edhe kampin pro-BE, pasi ka thënë se kreu i Partisë Brexit, Nigel Farage duhet t'i zhvillojë bisedimet me BE-në lidhur me Brexit-in.
I kritikuar po ashtu për shkak të komenteve për dukeshën e Sussex-it, Megan Markle, të cilën e ka quajtur "e poshtër" në një intervistë me një gazetë pasi mësoi se ajo kishte kritikuar lidershipin e tij gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump pritet të përballet me mijëra njerëz që protestojnë kundër vizitës së tij.
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan e përshkroi Trumpin gjatë fundjavës si "vetëm një nga shembujt më të egër të një kërcënimi global në rritje" dhe krahasoi gjuhën e tij me atë të "fashistëve të shekullit të 20-të".
Trump më herët ishte kritikuar për shpërndarjen në rrjetet sociale të një videoje anti-muslimane të një grupi të ekstremit të djathtë të quajtur "Britania e Para", një veprim të cilin Theresa May e kishte përshkruar si "të gabuar".
Ftesa presidentit amerikan i ishte dorëzuar nga kryeministrja May gjatë vizitës së saj në SHBA më 27 janar 2017, duke shkaktuar kritika në Britani për shkak të ndalesës së diskutueshme të vizave ndaj shtatë vendeve me shumicë muslimane.
Një peticion që i bënte thirrje qeverisë britanike për të anuluar ftesën u nënshkrua nga mbi 1,85 milionë njerëz vitin e kaluar. Në peticion thuhej se vizitë zyrtare duhej anuluar "sepse do të shkaktonte turp për Madhërinë e Saj, Mbretëreshën".
Në peticion po ashtu theksohej se "misogjinia dhe vulgariteti i dokumentuar i Trumpit" e diskualifikojnë atë për të mbajtur takim me Mbretëreshën ose pjesëtarët e tjerë të oborrit mbretëror britanik.
Qeveria iu përgjigj peticionit parlamentar duke thënë se besojnë që udhëheqësit amerikan duhet "t'i ofrohet mirësjellja e plotë" e një pritjeje zyrtare.