Ekip
17 janar 2022•Përditësim: 17 janar 2022
Tre diplomatë iranianë kanë mbërritur në Arabinë Saudite për herë të parë pas 6 vitesh për të përfaqësuar misionin e Teheranit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI) në Xheda, njoftoi televizioni shtetëror iranian sot, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Tre diplomatë iranianë kanë mbërritur në Xheda për të filluar punën e tyre në OBI", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh në një konferencë për media.
Ai theksoi se Teherani është gati të rihapë ambasadën e tij në Rijad. Megjithatë, ai shtoi se një lëvizje e tillë "varet nga masat praktike që do të marrë pala saudite".
Irani dhe Arabia Saudite ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në janar 2016 pas një sulmi në ambasadën saudite në Teheran, i cili erdhi pas ekzekutimit të klerikut shiit Nimr al-Nimr nga autoritetet saudite.
Marrëdhëniet midis dy rivalëve u përkeqësuan më tej pasi Irani në shtator 2016 akuzoi autoritetet saudite se shkaktuan qëllimisht vdekjen e rreth 400 haxhilerëve iranianë në një rrëmujë të vitit 2015 në qytetin e shenjtë musliman të Mekës.
Që atëherë, të dy palët janë përfshirë në një rivalitet të fortë rajonal, duke akuzuar shpesh njëra-tjetrën se po zhvillojnë luftë për ndikim rajonal.
Të dy vendet, megjithatë, mbajtën disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Iraku në muajt e fundit në përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.