Ekip
09 nëntor 2017•Përditësim: 09 nëntor 2017
HASEKE/DEJRIZOR/ANKARA (AA) - Organizata terroriste DEASH është tërhequr nga qyteza Merkede në prefekturën e Hasekes në verilindje të Sirisë dhe nga qyteti Bukemal në prefekturën Dejrizor në kufi me Irakun, raporton Anadolu Agency (AA).
Rajonet më të fuqishme që organizata mbante nën kontroll në Siri, tani kanë kaluar në kontrollin e organizatës terroriste PKK/PYD dhe regjimit të Bashar Asadit.
Siç njofton gazetari i AA-së në Haseke dhe Dejrizor, militantët e DEASH-it janë tërhequr nga përleshjet në Merkede, bastionin e fundit të tyre në Haseke, një pjesë e madhe e të cilit është pushtuar nga PKK/PYD. Në këtë mënyrë, thuajse e tërë prefektura e Hasekes ka kaluar nën kontrollin e PKK/PYD-së.
Në të njëjtën kohë, organizata është tërhequr edhe nga qyteti Bukemal në Dejrizor, që gjendet në kufi me Irakun.
Regjimi më 3 nëntor ka marrë kontrollin e qendrës së qytetit të Dejrizorit, me mbështetje të Rusisë dhe Iranit. Në operacionin në Bukemal, mbështetje me artileri kanë ofruar edhe forcat Hashdi Shabi nga kufiri i Irakut.
DEASH ende është e pranishme në një zonë të kufizuar në Dejrizor.
Ndryshe, qyteti Bukemal kaloi nën kontrollin e DEASH-it në vitin 2014.