Ekip
06 Mars 2020•Përditësim: 06 Mars 2020
Pas raundit të parë të bisedimeve, kryenegociatori i Bashkimit Evropian, Michel Barnier deklaroi se ka "dallime serioze" midis BE-së dhe Britanisë së Madhe për marrëdhëniet në të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).
"Bisedimet janë shumë të vështira, por vazhdoj të besoj se ne mund të arrijmë një marrëveshje", tha Barnier para gazetarëve në Bruksel.
Britania u largua nga blloku më 31 janar pasi ishte anëtar i Unionit për 47 vjet. Deri në fund të këtij viti, Britania dhe BE-ja kanë për qëllim të bien dakord për kushtet e bashkëpunimit ekonomik.
Raundi i parë i negociatave u zhvillua në Bruksel këtë javë.
"Britania kaloi shumë kohë në insistimin për pavarësinë e saj. Askush nuk e kundërshton këtë, por ne gjithashtu kërkojmë nga ata që të respektojnë pavarësinë tonë", tha Barnier, që le të nënkuptohet se BE-ja është e përkushtuar për të vendosur kushtet e veta.
Pozicioni negociues i BE-së përfshin tre kapituj kryesorë: partneritetin ekonomik, bashkëpunimin për sigurinë dhe politikën e jashtme dhe për kornizën institucionale që rregullon marrëdhëniet e ardhshme.
Pjesa më e rëndësishme është kapitulli ekonomik ku BE-ja dhe Britania kanë mendime shumë të ndryshme.
BE-ja është e hapur për një marrëveshje të tregtisë së lirë që lejon tarifat dhe kuotat zero, por si kthim, blloku insiston të sigurojë një fushë të barabartë për konkurrencë të hapur dhe të ndershme.
BE-ja kërkoi nga Britania që zyrtarisht të angazhohet që të mbështesë standardet e larta të çështjeve sociale, mbrojtjen e mjedisit dhe rregullimin e ndihmës shtetërore, por ende ekzistojnë divergjenca shumë serioze midis të dy palëve, shpjegoi Barnier.
Negociatorët e Britanisë janë kundër kushteve të Brukselit për ndërthurjen e marrëveshjes tregtare me një marrëveshje mbi peshkimin, e cila siguron qasje reciproke në tregjet dhe ujërat, dhe kufizon peshkimin me kuota.
Partnerët kanë mendime të ndryshme për natyrën e marrëveshjes, gjithashtu. Ndërsa BE-ja dëshiron një kornizë globale, Britania preferon një ujdi sektoriale.
Ekzistojnë mosmarrëveshje për aspekte të caktuara juridike të bashkëpunimit të ardhshëm në luftën kundër terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Raundi tjetër i negociatave do të mbahet në Londër më 18 mars.