Zuhal Demirci
30 prill 2019•Përditësim: 01 maj 2019
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, shprehu shqetësime për tentativat kundër rendit kushtetues në Venezuelë, pas raportimeve për një përpjekje për grusht shteti të udhëhequr nga Juan Guaido, i cili më herët është vetëshpallur president i përkohshëm i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Jemi të shqetësuar nga raportimet për disa tentativa kundër rendit kushtetues në Venezuelë", tha Çavuşoğlu në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.
"Jemi kundër përpjekjeve për ndryshimin e qeverive legjitime përmes rrugëve jodemokratike. Jemi për zgjidhjen e problemve të vendit me dialog. Jemi gjithnjë në anën e popullit të Venezuelës", shtoi shefi i diplomacisë turke.
Ndryshe, komentet e tij erdhën pasi kryetari i parlamentit në Venezuelë, Juan Guaido, i cili me 23 janar ka shpallur veten si president i vendit, në orët e para të mëngjesit në rrjetin social Twitter publikoi një video treminutëshe dhe u bëri thirrje ushtarëve dhe qytetarëve për të dalë në rrugë.
Nga llogaria e tij në Twitter, Guaido postoi një video me një grup ushtarësh përreth tij në afërsi të bazës ajrore La Carlota në Karakas.
Në video Guaido ndodhet përpara një automjeti të blinduar pranë një grupi ushtarak dhe aktivistit opozitar në arrest shtëpiak Leopoldo Lopez dhe u bën thirrje ushtarëve që të dalin në rrugë për të mbrojtur kushtetutën.
Ndërkohë, bëhet e ditur se në kryeqytetin Karakas ushtarët kanë bllokuar disa rrugë dhe në disa rrugë janë vërejtur automjete ushtarake.