Bota

Çavuşoğlu: Ekziston një nevojë në rritje për solidaritet ndërkombëtar

Në takimin i cili mbahet online me ftesë të Kryesuesit të radhës të OSBE-së, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka folur edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke u fokusuar në disa çështje

Fatjon Cuka  | 03.12.2020 - Përdıtësım : 03.12.2020
Çavuşoğlu: Ekziston një nevojë në rritje për solidaritet ndërkombëtar

Tiranë

Nën organizimin e Kryesisë Shqiptare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po mbahet takimi dyditor i Këshillit Ministror të kësaj organizate, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin i cili mbahet online me ftesë të Kryesuesit të radhës të OSBE-së, kryeministrit dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama, ka folur edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke u fokusuar në disa çështje.

Kryediplomati turk theksoi se në vitin 2020, për shkak të pandemisë, "të gjithë ne përballemi me sfida ekonomike dhe sociale që nuk i kemi parë kurrë më parë".

"Këto pasoja, për shkak të pandemisë, tregojnë se ekziston një nevojë në rritje për solidaritet ndërkombëtar dhe qasje shumëpalëshe. OSBE, si një nga shtyllat kryesore të rregullave të rendit ndërkombëtar duhet të përballet në mënyrë efektive me këto sfida dhe të adaptojë realitetin në terren", tha Çavuşoğlu.

Rreth konfliktit për Malësinë e Karabakut dhe marrëveshjes së fundit mbi këtë konflikt, ai tha se, "Turqia ka qenë gjithmonë në anën e rendit dhe ligjit, ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të gjetur zgjidhje për këtë konflikt të gjatë. Ne gjithmonë mbrojtëm qëndrimin që zgjidhja e tillë duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare, e rëndësishme edhe për parimet e OSBE-së. Duhet të bazohet në sovranitetin e Azerbajxhanit".

Rreth çështjes në fjalë, ai tha se me marrëveshjen e fundit midis Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë ka një shans për paqe pas 3 dekadash dhe sipas tij "kjo sigurisht që do të ketë implikime pozitive në stabilitetin rajonal midis marrëdhënieve Azerbajxhan-Armeni, si dhe marrëdhëniet Turko-Armene".

Ai duke theksuar se situata në Ukrainë është gjithashtu një sfidë dhe se kjo do të rrisë shkeljet në Krime, u shpreh se, "Ashtu si në Azerbajxhan, angazhimi i Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, gjithashtu mbetet i vendosur. Megjithëse ne shohim një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë drejtim".

"Organizatat terroriste që synojnë demokracitë tona po transformojnë dhe diversifikojnë aktivitetet e tyre. Në disa raste ata paraqiten si një organizatë e shoqërisë civile dhe përdorin platformën ndërkombëtare. Ne nuk duhet të lejojmë që grupet terroriste të shfrytëzojnë platformën e OSBE-së", shtoi ai.

Ministri Çavuşoğlu tha se sot solidariteti i Turqisë kundër terrorizmit është më i rëndësishëm se kurrë.

"Rritja e populizmit, ksenofobisë, islamofobisë, antisemitizmit, si dhe trazirave nga ekstremizmi i krahut të majtë ose të djathtë janë çështje të tjera të rëndësishme që duhet të adresojmë. Këto rreziqe kërcënojnë demokracitë tona dhe vlerat themelore siç janë të drejtat e njeriut dhe liria e fjalës dhe fesë. Ne duhet të vendosim një ekuilibër të duhur midis feve dhe lirive të tjera. Asgjë nuk mund të justifikojë fyerjen e profetit tonë të dashur. Liderët politikë kanë një përgjegjësi të veçantë për këtë", theksoi kryediplomati turk.

Në takimin vjetor kryediplomatët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së vlerësojnë gjendjen e sigurisë në zonën euroatlantike dhe atë euroaziatike, si edhe punën e organizatës, në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.