Faruk Zorlu
05 Shtator 2018•Përditësim: 05 Shtator 2018
ANKARA (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu mbrëmë me sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo ka biseduar për çështjet bilaterale dhe rajonale, raporton Anadolu Agency (AA).
Një burim i paemëruar diplomatik për AA tha se Çavuşoğlu dhe Pompeo në një bisedë telefonike kanë diskutuar për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ministrat po ashtu kanë biseduar edhe për situatën në Siri me theks mbi situatën në Idlib dhe Munbixh.
“Bashkëfolësit janë dakord se çdo ofensivë ushtarake e forcave besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad në Idlib do të ishte e papranueshme dhe do të shkaktonte eskalim të ri të përleshjeve në këtë vend”, tha mbrëmë vonë edhe zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.
Dje avionët ushtarakë rusë kryen sulme të ashpra në Idlib duke vrarë së paku dhjetë civilë.
Idlibi është provinca siriane e cila njihet si bastioni dhe enklava më e madhe e opozitës siriane. Rreth katër milionë banorë të këtij rajoni tashmë një kohë druajnë se forcat e regjimit sirian mund të fillojnë sulme të reja.
Bëhet fjalë për një rajon me një rëndësi strategjike në të cilin përleshjet e reja do të shkaktonin valë të re të refugjatëve drejt Turqisë dhe Evropës.