Behlül Çetinkaya
28 Gusht 2023•Përditësim: 29 Gusht 2023
Për shkak të një problemi teknik në sistemin ajror në të gjithë Britaninë po shënohen ndërprerje të fluturimeve, ndërsa disa kompani ajrore kanë paralajmëruar klientët e tyre për vonesa, raporton Anadolu.
Sipas një deklarate për Anadolu nga Shërbimet e Trafikut Ajror Kombëtar (NATS), në sistemin e trafikut ajror ka problem teknik dhe se për të garantuar sigurinë janë zbatuar disa kufizime në rrjedhën e trafikut.
Inxhinierët po punojnë për të zgjidhur problemin, thuhet në deklaratën ku ndahet informacioni se "Na duhet të shprehemi hapur se hapësira ajrore e Mbretërisë së Bashkuar nuk është mbyllur. Për të garantuar sigurinë jemi detyruar të zbatojmë disa kufizime në rrjedhën e trafikut".
NATS, bëri të ditur se qytetarët duhet ta mësojnë nga kompanitë ajrore situatën lidhur me fluturimet e tyre, ndërsa nuk dha ndonjë afat në lidhje me zgjidhjen e problemit.
"Mund të presim 12 orë"
Kompania ajrore Loganair me qendër në Skoci, në një postim nga platforma e medias sociale X, lidhur me problemin deklaroi se "Ka ndodhur një defekt në të gjithë rrjetin në sistemin kompjuterik të kontrollit të trafikut ajror të Mbretërisë së Bashkuar".
Do të bëhen përpjekje për kryerjen e fluturimeve brenda Skocisë me vonesat më të pakta, deklaroi kompania, e cila njoftoi se në fluturimet brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe në ato ndërkombëtare mund të shënohen vonesa.
Edhe prezantuesja e programit sportiv në BBC, Gabby Logan në një postim nga X bëri të ditur se avioni i saj po pret në pistën në aeroportin e Budapestit dhe u shpreh: "Thuhet se Britania ka mbyllur hapësirën e saj ajrore. Këtu mund të presim 12 orë. Jemi ulur dhe po presim në avion".
Më tej Logan njoftoi se ka avionë që ndodhen në ajër por që nuk lejohet ngritja e avionëve të rinj.
Ndërsa gazetari i CBS New, Emmet Lyons, tha se gjatë pritjes së avionit të tij nga një aeroport në Spanjë kompania ajrore EasyJet ka bërë deklaratën se "Ka ndodhur një problem teknik i cili ndikon fluturimet drejt Britanisë ose nga Britania".
Në një deklaratë të bërë nga aeroporti Liverpool John Lennon, paralajmërohet se avionët do të fillojnë në kohë pranimin e udhëtarëve, por që mund të ketë vonesa në ngritje.
Po ashtu në deklaratë theksohet se problemi ka prekur të gjithë hapësirën ajrore të Mbretërisë së Bashkuar.