Tayfun Salcı,İnci Gündağ
09 Qershor 2017•Përditësim: 09 Qershor 2017
LONDËR (AA) - Partia Konservatore e kryeministres britanike Theresa May është përballur me humbje të madhe të votave dhe shumicës në Parlamentin Britanik në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare të organizuara nga ana e kryeminstres për të konfirmuar shumicën në Westminster përpara procesit të vështirë të negociatave për largim nga Bashkimi Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Votuesit britanikë dje zgjodhën anëtarët e rinj të Parlamentit britanik, i cili numëron 650 vende nga po aq zona elektorale. Pjesëmarrja e votuesve ishte 69 për qind.
Sipas rezultateve paraprake, asnjëra parti nuk do të ketë shumicë parlamentare për të formuar qeveri të qëndrueshme, kështu që imponohen dy opsione, koalicion ose qeveri e pakicës.
Deri më tani janë numëruar fletëvotimet në 643 vendvotime nga të cilat Partia Konservatore në pushtet ka fituar 313 vende, kurse Partia opozitare Laburiste 260 vende. Partia Liberal Demokratike fitoi 12 vende.
Pritet që deri në fund të numërimit Konservatorët të fitojnë edhe dy mandate dhe gjithsej të kenë 315 ulëse, kurse për shumicën në parlament do t'u mungojnë 11 deputetë. Në legjislaturën e kaluar kishin madje 343 deputetë.
Në faqet e para të mediave britanike sot shkruante se kryeministrja May "rrezikoi" dhe humbi zgjedhjet e parakohshme.
Qeveria e Britanisë së Madhe më 19 qershor pritet të fillojë negociatat me Brukselin për largimin nga Bashkimi Evropian, kurse kryeministrja May shpalli zgjedhjet e parakohshme në mënyrë që të marrë mbështetje më të qëndrueshme në parlament, kurse rezultatet paraprake tregojnë se ka humbur edhe shumicën që kishte.
"Në këtë moment, ky vend më shumë se çdo gjë ka nevojë për një periudhë të stabilizimit", tha May në paraqitjen e parë publike pasi u bë e ditur për humbjen e zgjedhjeve.
Dukshëm e tronditur, May nuk përmendi nëse është duke shqyrtuar dorëheqjen, por tha se Partia Konservatore përsëri ka fituar numrin më të madh të vendeve në parlament dhe do të punojë në stabilizimin e situatës në vend.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn i bëri thirrje kryeministres May që të japë dorëheqje për shkak të humbjes së madhe.
"Konservatorët kanë humbur vendet e tyre, mbështetjen e votuesve dhe besimin e opinionit. Do të thoja se kjo është arsye e mjaftueshme për largimin nga pushteti dhe të lejojë që vendi të udhëhiqet nga një qeveri që përfaqëson të gjithë njerëzit në vend", ka thënë Corbyn.
Laburistët deri më tani kanë fituar 260 vende, ndërsa në përbërjen e kaluar kishin 229 vende.
Në Skoci, Partia Kombëtare ka fituar një rezultat më të dobët nga zgjedhjet e mëparshme duke fituar vetëm 33 vende. Liderja e partisë Nicola Sturgeon e ka quajtur zhgënjyese. Ajo shtoi se këto zgjedhje ishin katastrofë për kryeministren May.
Zgjedhjet e djeshme ishin dëshpëruese edhe për Partinë e Pavarësisë, Populiste dhe opsionin politik euroskeptik, e cila nuk arriti të fitojë asnjë vend në parlament.