Bota

Britani, arrin në 1.228 numri i të vdekurve nga COVID-19

Rastet dhe vdekjet në Britani pritet të rriten gjatë 2-3 javëve të ardhshme përpara se të shihen efektet e vendimit të karantinës së pjesshme dhe masave të tjera

Hasan Esen  | 29.03.2020 - Përdıtësım : 29.03.2020
Britani, arrin në 1.228 numri i të vdekurve nga COVID-19

Londër

Në Britani të Madhe janë shënuar 209 vdekje të reja brenda një dite duke e rritur në 1.228 numrin e të vdekurve në vend nga koronavirusi i ri (Covid-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Institucioni i Shëndetit Publik të Britanisë, nëpërmjet një deklarate ka njoftuar se numri i të vdekurve në 24 orët e fundit nga 1.019 është rritur në 1.228 ndërsa numri rasteve me 2.433 raste të reja është rritur në 17.089.

Po ashtu vihet në dukje se deri më tani në vend janë kryer teste të koronavirusit për gjithsej 127.737 persona.

Rastet dhe vdekjet në Britani pritet të rriten gjatë 2-3 javëve të ardhshme përpara se të shihen efektet e vendimit të karantinës së pjesshme dhe masave të tjera.

Kryeministri britanik, Boris Johnson i cili ka rezultuar pozitiv në testin e Covid-19, në një letër dërguar spitaleve në vend ka thënë se "gjërat në epidemi do të përkeqësohen edhe më shumë para se të përmirësohen".

Ndërsa prof. Stephen Powis, drejtor i shërbimit shëndetësor kombëtar në Britani tha se "do të jetë një rezultat i mirë" nëse vdekjet në vend mbesin nën 20 mijë.

Qeveria britanike në fillim ndoqi strategjinë "e përhapjes në mënyrë të kontrolluar të virusit me qëllim për fitimin e imunitetit shoqëror", ndërsa më pas ajo u tërhoq pas kritikave dhe raportimeve se numri i të vdekurve mund të arrijë në 227 mijë.

Me vendimet e marra, të hënën u vendosën kufizime për daljen e qytetarëve nga shtëpitë ndërsa u mbyllën të gjitha bizneset përveç marketeve dhe farmacive.

Më 25 mars u njoftua se princi Charles ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirusin ndërsa më 27 mars në testin e Covid-19 dolën pozitiv edhe kryeministri britanik, Boris Johnson dhe ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, për të cilët u tha se që të tre kanë shfaqur simptoma të lehta të sëmundjes.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın