Ayhan Şimşek
19 Shkurt 2023•Përditësim: 19 Shkurt 2023
Bashkimi Evropian (BE) duhet të rrisë dhe përshpejtojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, tha sot Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, raporton Anadolu.
"Të gjithë liderët evropianë këtu dje thanë se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë, se Ukraina duhet të fitojë", tha Borrell në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Duke u bërë thirrje liderëve të "kalojnë nga fjalët në veprime", ai vuri në dukje nevojën për të përshpejtuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën pasi vendi është në një situatë kritike për sa i përket rezervave të municionit.
Borrell tha se problemi duhet të zgjidhet brenda pak javësh, pa pritur përfundimin e prokurimeve të reja ose programet e përbashkëta evropiane të prokurimit.
"Ne duhet të përdorim atë që kemi, atë që kanë vendet anëtare dhe ata duhet të sigurojnë shpejt një pjesë të municioneve të tyre, ndërsa presin të mbushin rezervat e tyre", tha shefi i diplomacisë evropiane.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të përshpejtojnë shpërndarjen e armëve të rënda, përfshirë tanket luftarake.
"Të gjithë e dinë se për të fituar një luftë, një luftë klasike, ju duhen tanke luftarake. Pa këto armë, ju nuk do ta fitoni këtë luftë", shtoi Borrell.