Övünç Kutlu
04 Dhjetor 2020•Përditësim: 05 Dhjetor 2020
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se vrasja e shkencëtarit bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh javën e kaluar ka të ngjarë të komplikojë marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Teheranit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Të gjitha këto gjëra, mendoj se do të jenë shumë të vështira", tha Biden për CNN në një intervistë të enjten pasi një zyrtar i lartë i administratës amerikane pretendoi se Izraeli qëndron prapa vrasjes.
"Vija e fundit është se ne nuk mund ta lejojmë Iranin të bëhet me armë bërthamore", tha Biden, duke kritikuar presidentin Donald Trump për tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, për arritjen e së cilës Biden ndihmoi ish-presidentin Barack Obama në përpilimin e saj.
"Ai u tërhoq për të fituar diçka më tepër dhe çfarë bënë ata? Ata kanë rritur aftësinë që të kenë material bërthamor. Ata po lëvizin më pranë aftësisë për të qenë në gjendje të kenë material të mjaftueshëm për një armë bërthamore. Dhe kjo është çështje e raketave", argumentoi Biden.
Ish-zëvendëspresidenti theksoi se SHBA ka nevojë për partnerë në marrëdhëniet e saj me Iranin, duke sugjeruar që administrata e tij mund të punojë së bashku me Rusinë dhe Kinën për shumë çështje.
Mes raporteve të pakonfirmuara se Trump mund të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij më 20 janar, Biden tha se Trump duhet të marrë pjesë, pjesërisht për të shmangur krijimin e një figure negative për pjesën tjetër të botës.
"Është e rëndësishme në kuptimin që ne të jemi në gjendje të demonstrojmë fundin e këtij kaosi që ai ka krijuar, që të ketë një transferim paqësor të pushtetit me palët konkurruese, duke shtrënguar duart dhe duke lëvizur përpara", tha ai.
100 ditë maska për fytyrën
Biden gjithashtu tha se ai do t'u kërkojë amerikanëve të mbajnë maska në fytyrë gjatë 100 ditëve të tij të para në zyrë, e cila do të ishte një ndryshim drastik nga qëndrimi shpesh përbuzës i Trumpit ndaj virusit.
Për ta bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave, Biden tha se do të shfrytëzonte autoritetin e tij në ndërtesat federale dhe në aionë dhe autobusë gjatë transportit ndërshtetëror, përveç lëshimit të urdhrit për mbajtjen e maskave.
Biden u bëri thirrje amerikanëve të besojnë në vaksinën e ardhshme kundër COVID-19, duke shtuar se ai do të jetë "i lumtur" të marrë vaksinën pasi këshilltari kryesor mjekësor Dr. Anthony Fauci thotë se është e sigurt.
"Ky është momenti në të cilin unë do të qëndroj para publikut. Njerëzit kanë humbur besimin në aftësinë e vaksinës se do të jetë funksionale", tha ai.
Stimuli ekonomik
Biden, megjithatë, nënvizoi kompleksitetin e shpërndarjes së vaksinave dhe kërkoi nevojën për një projekt-ligj lehtësimi për të siguruar fondet e nevojshme.
Demokratët në fillim të kësaj jave ulën ofertën e tyre të mbështetjes nga 2.2 trilionë dollarë në 908 miliardë dollarë për të mbyllur hendekun me mbështetjen e republikanëve prej afro 500 miliardë dollarësh, lajmet Biden i quajti "një fillim i mirë" të përpjekjeve dypartiake.
"Ajo që duhet menjëherë është lehtësimi për njerëzit të kontrolleve të tyre të papunësisë; lehtësim për njerëzit që do të nxirren nga banesat e tyre pas Krishtlindjeve sepse nuk kanë mundësi të paguajnë qiranë më. Njerëzit me të vërtetë po vuajnë. Ata janë frikësuar për vdekje", shpjegoi ai.
Pas miratimit të projekt-ligjit të lehtësimit, Biden u zotua të punojë edhe për kalimin e një stimuli shtesë.