Michael Gabriel Hernandez
18 Tetor 2023•Përditësim: 18 Tetor 2023
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka rënë dakord të shtyjë takimin me liderët arabë që do të zhvillohej mes viktimave në rritje në Rripin e rrethuar të Gazës, tha Shtëpia e Bardhë të martën, raporton Anadolu.
"Pas konsultimit me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe për shkak të ditëve të zisë të shpallura nga Presidenti (Mahmoud) Abbas i Autoritetit Palestinez, presidenti Biden do të shtyjë udhëtimin e tij në Jordani dhe takimin e planifikuar me këta dy liderë dhe presidentin (Abdel Fattah al-) Sisi të Egjiptit", u tha gazetarëve një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
"Ai mezi pret të konsultohet personalisht me këta udhëheqës së shpejti dhe ra dakord të mbetet i angazhuar rregullisht dhe drejtpërdrejt me secilin prej tyre gjatë ditëve në vijim", shtoi zyrtari.
Më tej Biden "shprehu ngushëllimet e tij më të thella" për atë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si "jetët e pafajshme të humbura në shpërthimin e spitalit në Gaza dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve", shtoi zyrtari.
Zyrtari nuk fajësoi askënd për bombardimin e Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza, i cili mori jetën e mbi 500 njerëzve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza, Ashraf al-Qudra tha për Anadolu se spitali u godit nga një sulm ajror izraelit. Pamjet në mediat sociale treguan kufoma të shpërndara nëpër mjediset e spitalit, i cili thuhet se drejtohej nga Kisha e Anglisë.
Sipas gazetarit të Anadolu, mijëra palestinezë ishin në spital kur ndërtesa u bombardua.
Grupi palestinez Hamas e quajti shënjestrimin e spitalit nga Izraeli një akt "gjenocidi".