Ata Ufuk Şeker
18 Qershor 2020•Përditësim: 18 Qershor 2020
Bashkimi Evropian (BE) vendosi të zgjasë me një vit afatin e sanksioneve që zbaton ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe Sevastopolit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i BE-së vendosi të zgjasë deri më 23 qershor 2021 masat kufizuese që BE-ja zbaton kundër Rusisë për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe Sevastopolit.
Me sanksionet e zgjatura, kufizohen aktivitetet e shtetasve dhe kompanive të BE-së në rajonet Krime dhe Sivastopol.
Gjithashtu nuk lejohen importet e produkteve nga Krimeja dhe Sevastopoli në BE. Shtetasit ose kompanitë e BE-së nuk mund të blejnë pronë të patundshme nga Krimeja dhe Sevastopoli dhe nuk mund të sigurojnë shërbim financiar për kompanitë në këto rajone.
Nuk mund të eksportohen disa mallra dhe teknologji që mund të përdoren në sektorët e komunikimit, telekomunikacionit dhe energjisë në zonën e Krimesë. Pengohet kryesisht sigurimi i teknologjisë për kërkimin, nxjerrjen dhe prodhimin e naftës, gazit natyror dhe mineraleve. Po ashtu nuk mund të ofrohet mbështetje teknike për këto sektorë.
Në mars të vitit 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ngjarjeve në lindje të Ukrainës, BE-ja, SHBA-ja dhe disa vende filluan të zbatojnë sanksione ekonomike ndaj Rusisë.