Diyar Güldoğan
03 Tetor 2019•Përditësim: 03 Tetor 2019
Zëdhënësi për bashkëpunim ndërkombëtar i Bashkimit Evropian (BE), Carlos Martin Ruiz De Gordejuela, ka deklaruar se BE-ja është e vetëdijshme për shqetësimet “legjitime” të sigurisë së Turqisë në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi të vetëdijshëm për shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë në kufirin me Sirinë”, tha Gordejuela në një konferencë për media.
Gordejuela theksoi rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve midis Turqisë dhe SHBA-ve për të arritur një zgjidhje për zonën e sigurt në rajon.
“Për ne, gjëja e rëndësishme dhe qëllimi duhet të jetë që të shmangim armiqësitë e shtuara të armatosura në verilindje, të cilat jo vetëm që do të shkaktonin zhvendosje masive, por edhe minim të përpjekjeve të tanishme të koalicionit global kundër DEASH-it dhe përpjekjeve të vazhdueshme të stabilizimit”, tha Gordejuela.
Zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë më 7 gusht u pajtuan për krijimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë dhe një korridor të paqes për të lehtësuar lëvizjen e sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në atdheun e tyre.
Udhëheqësit turq kanë deklaruar se SHBA nuk po punon sa duhet për të krijuar zonën e cila mund të strehojë rreth 2-3 milionë sirianë që ikën nga lufta civile siriane që nga viti 2011.
Turqia aktualisht pret rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Sipas shifrave zyrtare, Ankaraja deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët.