Bota

BE planifikon mision të ri detar në Mesdhe

Misioni i ri do të operojë nga ajri, deti dhe përmes satelitëve për të siguruar që të gjitha vendet të respektojnë ndalimin e sigurimit të armëve për palët e përfshira në konfliktin libian

Ekip   | 18.02.2020
BE planifikon mision të ri detar në Mesdhe

Bruksel

Përfaqësuesit i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë të ditur se vendet e BE-së janë pajtuar në parim për të krijuar një mision të ri detar me qëllim monitorimin e embargos së armëve të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Libi, raporton Anadolu Agency (AA).

Misioni i ri do të operojë nga ajri, deti dhe përmes satelitëve për të siguruar që të gjitha vendet të respektojnë ndalimin e sigurimit të armëve për palët e përfshira në konfliktin libian.

Ky mision detar i paralajmëruar po ashtu shënon fundin e operacionit "Sophia", i cili u nis në vitin 2015 për të bllokuar migrimin e parregullt në Detin Mesdhe.

Borrell shpjegoi se operacioni i ri do të monitorojë vetëm bregdetin lindor të vendit afrikan, i cili është vendimtar për furnizimin me armë. Ai theksoi se misioni do të përqendrohet në zbatimin e embargos së armëve, ndërsa luftimi i krimit të organizuar të trafikantëve të qenieve njerëzore, si dhe trajnimi i rojes bregdetare dhe marinës libiane do të jenë detyra shtesë.

"Ne arritëm një marrëveshje politike për të cilën mendoja se do të ishte e pamundur. Por, kur ekziston vullnet politik, asgjë nuk është e pamundur", tha Borrell, duke iu referuar faktit se disa vende anëtare kundërshtuan misionin duke argumentuar se prania e shtuar detare e BE-së do të inkurajojë kontrabandistët e qenieve njerëzore dhe migracionin e paligjshëm.

"Hungaria, Austria dhe Italia ishin afër për të vënë veton konkludimit", tha pas takimit kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto.

Në fund, tha Szijjarto, këtyre vendeve iu dha një garanci se misioni do të pezullohet menjëherë nëse rezulton se është "një faktor tërheqës" për migracionin e paligjshëm.

Të dy liderët theksuan se kryediplomatët e vendeve të BE-së vendosën vetëm bazën e misionit me këtë vendim politik.

"Pres debate serioze", u shpreh shefi i diplomacisë hungareze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın