Ata Ufuk Şeker
02 Qershor 2017•Përditësim: 02 Qershor 2017
BRUKSEL (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar se procesi i Marrëveshjes së Parisit do të vazhdojë në një mënyrë të fuqishme edhe krahas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump nga tërheqja prej saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas deklaratës së Trump për tërheqje nga Marrëveshja Klimatike e Parisit, institucione të ndryshme të BE-së kanë dhënë deklarata duke aluduar se procesi i marrëveshjes do të vazhdohet në mënyrë të fuqishme.
Kryetari i Parlamentit Evropian (PE), Antonio Tajani, në një vlerësim lidhur me zhvillimin, ka thënë se marrëveshja duhet respektuar dhe se kjo gjë është çështje "besimi dhe lidershipi".
"Ata që parapëlqejnë të ngelin jashtë, do të humbin një mundësi historike për planetin dhe ekonominë", ka vlerësuar Tajani, duke theksuar se marrëveshja do të vazhdojë edhe pa SHBA-të.
Tajani ka shtuar se BE-ja do të ketë rol prijës kundër ndryshimeve klimatike dhe do të vazhdojë të rrisë investimet, inovacionet, teknologjinë, punësimin dhe konkurrencën përmes përpjekjeve të saj.
Nga ana tjetër, komisioneri evropian për Klimën dhe Energjinë, Miguel Aries Canete, e ka cilësuar tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja si një ditë pikëlluese.
"Është një ditë pikëlluese për komunitetin global, pasi një nga partnerët kryesorë lidhur me ndryshimet klimatike na e ktheu shpinën. BE-ja ndjeu pikëllim të thellë pasi Trump deklaroi se në mënyrë të njëanshme do të tërhiqet nga Marrëveshja Klimatike e Parisit", ka thënë Canete.
Ndaj vendimit të presidentit Trump ka reaguar dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila e ka cilësuar si dëshpëruese tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Marrëveshja Klimatike e Parisit.
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, në një deklaratë për gazetarët lidhur me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për t'u tërhequr nga Marrëveshja Klimatike e Parisit, ka thënë se ky vendim i SHBA-ve është dëshpërim i madh për përpjekjet e dhëna për zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë dhe për rritjen e sigurisë globale.
Dujarric rikujtoi se marrëveshja ishte nënshkruar në vitin 2015 nga të gjitha shtetet që kanë pësuar nga ndryshimet klimatike dhe që kanë pranuar nevojën për mobilizim, duke shtuar se kjo marrëveshje është udhërrëfyes për të gjitha shtetet.
Po ashtu, Dujarric është shprehur se aktualisht është duke vazhduar transformimi i paraparë sipas Marrëveshjes së Parisit.
Ai ka shprehur rëndësinë që SHBA-të të vazhdojnë të jenë liderë lidhur me problemet mjedisore.
"Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres është i sigurt se qytetet, shtetet dhe kompanitë në SHBA do të vazhdojnë të jenë lider për sa i përket zvogëlimit të emetimit të karbonit dhe rritjes ekonomike, gjë të cilat do të prodhojnë biznes dhe treg cilësor", ka thënë Dujarric.
Ndërkohë, përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, përmes një deklarate me shkrim e ka mbështetur vendimin, duke theksuar se Trump i ka mbrojtur interesat e SHBA-ve duke e tërhequr vendin nga kjo "marrëveshje me të meta", e cila, siç është shprehur, i ka dhënë ngarkesë të tepërt punësimit në vend.
"Ne nuk do ta rrezikojmë ekonominë tonë vetëm për t'i kënaqur shtetet të cilat janë shumë larg standardeve tona të mbrojtjes së mjedisit", ka thënë Haley, duke theksuar se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë lider në mbrojtjen e mjedisit.
Ndryshe, marrëveshja në fjalë është miratuar në Konferencën e 21-të të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndryshimet Klimatike (COP21) që është mbajtur në Paris në dhjetor të vitit 2015, ndërsa është nënshkruar në prill të vitit 2016 në selinë e OKB-së në New York nga mbi 190 shtete.
Marrëveshja ishte cilësuar si një hap historik për arsye të hyrjes në fuqi dhe se për herë të parë bashkarisht një marrëveshje klimatike ishte nënshkruar nga SHBA-të dhe Kina, si dy shtetet që emetojnë më së shumti gazra serrë në botë. Marrëveshje synon të mbajë nën dy gradë rritjen e temperaturës globale dhe ka detyrim ligjor në aspektin ndërkombëtar.