Asiye Latife Yılmaz
08 Nëntor 2025•Përditësim: 08 Nëntor 2025
James Dewey Watson, shkencëtari amerikan që ndihmoi në zbulimin e strukturës së ADN-së në moshën 25-vjeçare, ka vdekur të enjten në shtëpinë e tij në Nju Jork në moshën 97-vjeçare, transmeton Anadolu.
Djali i tij, Duncan Watson, konfirmoi se babai i tij ka ndërruar jetë në kujdes paliativ në shtëpi, ku ishte transferuar më herët gjatë javës pasi kishte marrë trajtim për një infeksion, raportoi New York Times.
Watson dhe bashkëzbuluesi Francis H.C. Crick fituan famë dhe morën Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962 për identifikimin e strukturës me spirale të dyfishtë të ADN-së – molekulës që mbart informacionin gjenetik dhe formon bazën e kromozomeve.
Zbulimi i vitit 1953 për strukturën e ADN-së hodhi themelet për përparime të mëdha në gjenetikë – nga identifikimi i mutacioneve deri te zhvillimi i kulturave bujqësore të modifikuara gjenetikisht dhe mjetet moderne të modifikimit të gjeneve, si “CRISPR-Cas9”.
Watson u përball me kritika të shumta për deklaratat e tij të diskutueshme dhe për minimizimin e rolit të Rosalind Franklinit në zbulim, pasi rezultatet nga rrezet X dhe studimet e papublikuara të saj u përdorën nga Crick dhe Watson.
Në vitin 2014, Watson tha se do të shiste medaljen e tij Nobel, duke shpjeguar se komentet e tij të diskutueshme e kishin izoluar nga komuniteti shkencor dhe se kishte nevojë për para, ndërsa planifikonte të dhuronte një pjesë të fitimeve për kërkime shkencore.
Medalja u shit në ankand për 4,8 milionë dollarë.
Në vitin 2019, Watsonit iu hoqën të gjithë titujt e nderit pasi përsëriti pretendime të debatueshme që lidhnin racën me inteligjencën.
Watson ishte nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 1977, mbante tituj nderi nga më shumë se 12 universitete dhe ishte anëtar i Akademisë Kombëtare të Shkencave.