İdris Okuducu
22 Shtator 2017•Përditësim: 23 Shtator 2017
ERBIL (AA) - Kreu i qeverisë rajonale kurde të Irakut, Mesut Barzani, duke vënë në dukje se nuk ka mbetur më kohë për shtyrjen e referendumit të planifikuar për tu mbajtur më 25 shtator, tha se tashmë është shumë vonë për shtyrjen e referendumit, raporton Anadolu Agency (AA).
Barzani në një fjalim të mbajtur në mitingun e fundit të "po referendumit" në qytetin Erbil, është shprehur se "Ditë-natë përballemi me presionin për të shtyrë referendumin. Ne nuk mund të kthehemi në të shkuarën që ka dështuar. Për bisedime jemi të gatshëm pas 25 shtatorit me seriozitet dhe një mendje të hapur. Tashmë është shumë vonë dhe nuk ka mbetur më kohë për shtyrjen e referendumit. Nga këtu shpreh se nuk jam një person që turpëroj veten përballë popullit tim".
"Referendumi nuk është një rrugë për vendosjen e kufijve, imponimin e ideve si fakt i kryer, por është rruga të cilën e ka preferuar populli i cili dëshiron pavarësinë. Pas 25 shtatorit jemi të hapur për bisedimet në lidhje me çështjet për kufijtë, naftën, gazin dhe territoret e debatueshme", ka theksuar Barzani.
Duke folur edhe për deklaratën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në lidhje me referendumin, Barzani tha se "Lufta e kryer kundër DEASH-it do të intensifikohet edhe më shumë në krahasim me atë më parë".
Ndërsa në lidhje me "kërcënimet dhe ndëshkimet", Barzani është përgjigjur se "që prej 100 vitesh po ndëshkohemi. Mos vallë nuk mjafton kaq ndëshkim".
Kreu i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Mesut Barzani, pas një takimi të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor deklaroi se më 25 shtator 2017 do të mbahet referendumi i shumë debatueshëm për pavarësinë.
Ndërsa kryeministri i Irakut, Hajdar el-Ibadi, pas shpalljes së referendumit nga Barzani tha se "Kjo nismë ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe se nuk do të njihnin rezultatin".
Edhe SHBA-të duke vënë në dukje se është shumë e rrezikshme rruga e zgjedhur rreth vendimit të referendumit i cili shkakton debate të mëdha, kishte kërkuar që vendimi të anulohej menjëherë.