Selen Temizer,Halit Süleyman
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
HALEP (AA) - Qindra mijëra civilë në Siri të ndodhur nën sulmet intensive të regjimit të Bashar al-Assadit dhe milicëve shiitë me mbështetje nga Irani kanë mbetur pa bukë pasi edhe furrat e fundit nuk kanë funksionuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Që nga 15 nëntori e deri më tani regjimi i Assadit dhe mbështetësit e tij vazhdojnë sulmet intensive nga ajri dhe toka në lagjet nën kontrollin e opozitarëve në lindje të Halepit.
Sulmet e ndërmarra në 16 ditët e fundit ku kanë humbur jetën 739 civilë dhe ku janë plagosur afërsisht 2.500 të tjerë kanë lënë jashtë shërbimit të gjitha spitalet dhe shkollat në qytet.
Në qytetin ku jetojnë afro 300 mijë civilë, që nga e shtuna e kaluar kishin mbetur vetëm 3 furra buke funksionale.
Drejtori i Mbrojtjes Civile në Halep, Nexhip Ensari, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se nuk janë në funksion ende furrat të cilat priteshin të nxirrnin bukë të shunën e kaluar.
"Për qindra mijëra persona na kishin mbetur vetëm 3 furra të cilat e kishin të pamundur të prodhonin bukë për të gjithë. Një numër i vogël i njerëzve mund të përfitonte nga kjo. Ndërsa furrat e tjera ose ishin goditur ose ishin mbyllur se nuk kishte mbetur më miell. Nga këto 3 furra ditën e shtunë do të shpërndahej bukë. Por për shkak të sulmeve intensive nuk qe e mundur shpërndarja e bukës. Që prej 5 ditësh nuk është prodhuar as edhe një bukë", thotë Ensari.
Për shkak të bllokadës së regjimit në lindje të Halepit që nga 7 korriku e deri më tani nuk mund të hyjë asnjë autokolonë e OKB-së me ndihma.