Mohamed Sabry Emam Muhammed
27 Korrik 2019•Përditësim: 29 Korrik 2019
Zyrtarët në Bahrein bënë të ditur se janë ekzekutuar dy persona me akuza të terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e lajmeve e Bahreinit raporton se avokati i përgjithshëm dhe shefi i ndjekjes penale të krimit, Ahmed Al Hammadi, theksoi se dy personat e ekzekutuar u dënuan për shkak se ishin bashkuar me një grup terrorist dhe kishin komplotuar disa sulme të kryera terroriste në Bahrein “për të prishur rendin publik”.
Pa i identifikuar të ekzekutuarit, Hammadi tha se ata u ekzekutuan nga skuadra e pushkatimit.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë identifikuar dy personat si Ali al-Arab (25) dhe Ahmed al-Malali (24), të dy të ekzekutuarit ‘shia’.
Dy personat në fjalë u dënuan me vdekje në janar të vitit të kaluar pas një gjykimi masiv me 58 të pandehur të tjerë.
Prokuroria theksoi se ata u dënuan për formimin e një grupi terrorist, i cili kreu një seri sulmesh në këtë shtet të Gjirit Persik, duke shtuar se grupi ishte përgjegjës për një sulm ndaj një burgu në janar të vitit 2017, ku një roje u vra dhe 10 të burgosur u arratisën.
Sipas prokurorisë, në të njëjtin muaj grupi po ashtu ka vrarë një oficer të policisë në një sulm para fermës së tij në zonën Bilad Al Qadeem.
“Të dy burrat u vranë së bashku me një të burgosur të tretë të shpallur fajtor për vrasje”, tha prokuroria.
Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për vrasjet jashtëligjore, Agnes Callamard, si dhe disa grupe të të drejtave të njeriut u kanë bërë thirrje autoriteteve të Bahreinit që të ndalojnë ekzekutimet.
“Autoritetet e Bahreinit duhet të ndalojnë menjëherë me planet për të ekzekutuar këta njerëz, të anulojnë dënimet me vdekje kundër tyre dhe të garantojnë rigjykimin e tyre në përputhje me të drejtën dhe standardet ndërkombëtare”, tha Callamard gjatë ditës së djeshme.
Bahreini është lëkundur nga revolta në vitin 2011, kur shpërthyen protestat pro-demokratike të udhëhequra nga ‘shiat’ si pjesë e kryengritjeve të “pranverës arabe” të atij viti.