Seyit Ahmet Aytaç
02 Prill 2018•Përditësim: 02 Prill 2018
IDLIB (AA) - Autokolona e 13-të me civilë dhe luftëtarë të opozitës nga rajoni i rrethuara i Gutës Lindore në Siri arriti në pjesën periferike perëndimore të Halepit dhe Idlibit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetarëve të AA-së në rajon, të shpërngulurit janë marrë nga qytetet Arbin, Zamalka dhe Ain Tarma të Gutës Lindore.
Autokolona e sotme përbëhej nga 28 autobusë me mbi një mijë udhëtarë, duke përfshirë njerëz të plagosur, të sëmurë, gra dhe fëmijë.
Veçmas në Duma, një nga qarqet më të mëdha në Gutën Lindore, janë evakuuar 89 të plagosur dhe të sëmurë.
Të paktën 46.000 njerëz janë evakuuar nga Guta Lindore që kur filloi procesi i evakuimit nga ky rajon më 22 mars.
Të shpërngulurit janë duke u strehuar në qendrat e përkohshme të refugjatëve dhe në shkollat dhe xhamitë lokale, në provincat veriperëndimore të Sirisë Idlib dhe Halep.
Evakuimet janë pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Rusia midis regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura opozitare.
Më 24 shkurt, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri Rezolutën 2401, e cila bëri thirrje për një armëpushim në Siri, veçanërisht në Gutën Lindore, për të lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Përkundër rezolutës, regjimi dhe aleatët e tij në fillim të marsit filluan një ofensivë të madhe tokësore - mbështetur nga forcat ajrore ruse - që synonte marrjen e kontrollit të pjesëve të rajonit të kontrolluara nga opozita.
Burimet lokale të mbrojtjes civile njoftojnë se nga 19 shkurti, më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në sulme nga regjimi dhe aleatët e tij në Gutën Lindore.
Me popullsi prej 400.000 banorësh, Guta Lindore ka mbetur nën rrethimin e rregjimit në pesë vitet e fundit, gjë që ka penguar furnizimet e nevojshme humanitare.