Mehmet Alaca
09 shkurt 2022•Përditësim: 09 shkurt 2022
Australia dhe Lituania ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin për çështje strategjike, veçanërisht pas presionit nga Kina, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis zhvilloi një takim me homologen e tij australiane, Marise Payne.
Duke theksuar se rasti me Australinë ka qenë prej kohësh një nga shembujt kryesorë të përdorimit të tregtisë si armë politike nga Kina, Landsbergis tha se edhe vendi i tij iu bashkua këtij "klubi special", por ata sigurisht nuk do të jenë të fundit.
Landsbergis tha se është e nevojshme t'u kujtojmë vendeve si Kina ose çdo vendi që dëshiron të përdorë tregtinë si armë, se ata kanë mjetet dhe rregulloret që ndihmojnë vendet me të njëjtin mendim në mbarë botën të mos i nënshtrohen presioneve politike dhe ekonomike.
Eksportuesit australianë kanë humbur prej kohësh dhjetëra miliarda dollarë për barrierat tregtare zyrtare dhe jozyrtare të Kinës që përfshijnë qymyrin, verën, viçin, karavidhen dhe elbin.
Payne theksoi se ishte dakord me homologun e tij për rëndësinë e bashkëpunimit të vendeve që punojnë së bashku me një qasje koherente për të ruajtur rendin e bazuar në rregulla ndërkombëtare, tregtinë e lirë, transparencën, sigurinë dhe stabilitetin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian dje tha se Kina u përmbahet rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) në marrëdhëniet e saj me Lituaninë, duke shtuar se "i ashtuquajturi 'presioni' i Kinës kundër Lituanisë u krijua krejtësisht nga hiçi".
Lijian tha se vendi i tij i kërkoi Lituanisë të përballet me fakte objektive dhe të kthehet në rrugën e duhur, duke iu përmbajtur parimit të një Kine.
Parimi i një Kine thotë se Tajvani është pjesë e Kinës dhe qeveria komuniste në Pekin është qeveria e vetme legjitime e Kinës.
Pasi Lituania lejoi Tajvanin të hapte një zyrë përfaqësuese me emrin e tij në vendin e saj, eksportet e saj në Kinë, ku marrëdhëniet ishin të tensionuara, u ndalën.
Komisioni Evropian në deklaratën e tij në fund të janarit, njoftoi se ishte ngritur një padi brenda strukturës së OBT-së për shkak të praktikave diskriminuese tregtare të Kinës ndaj Lituanisë.
KE-ja citoi një sërë dëshmish në javët e fundit, përfshirë dështimin e produkteve lituaneze për të zhdoganuar, refuzimin e aplikimeve për import nga Lituania dhe presionin ndaj kompanive të BE-së për të hequr Lituaninë nga zinxhiri i furnizimit për eksportet në Kinë.
- Konflikti Kinë-Lituani
Marrëdhëniet kinezo-lituaneze u tensionuan pasi Vilniusi i lejoi Tajvanit të hapë një zyrë përfaqësuese me emrin e vet.
Udhëheqësja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, më 20 korrik njoftoi se do të hapte një zyrë përfaqësuese në Lituani me emrin "Zyra e Përfaqësimit të Tajvanit" dhe më 9 gusht qeveria lituaneze lejoi hapjen e zyrës përfaqësuese.
Kina, duke argumentuar se vendimi ishte një sulm ndaj parimit "Një Kinë" dhe të drejtave të sovranitetit në ishull, tërhoqi ambasadorin e saj nga Lituani dhe i kërkoi vendit baltik të tërheqë ambasadorin e saj nga Pekini.
Më 21 nëntor, Pekini vendosi të ulë marrëdhëniet diplomatike me Lituaninë dhe t'i mbajë ato në nivelin e të ngarkuarit me punë.
Lituania gjithashtu njoftoi se mbylli ambasadën e saj në Pekin më 15 dhjetor, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e diplomatëve të saj.
Duke argumentuar se Tajvani është pjesë e territorit të saj, Kina kundërshton çdo hap që mund të çojë në pavarësinë "de fakto" të ishullit duke fituar status ndërkombëtar.
Pekini po përpiqet të parandalojë qeverinë tajvaneze që të vendosë marrëdhënie të pavarura diplomatike dhe të përfaqësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Tajvani, i cili njihet zyrtarisht nga 13 shtete anëtare të OKB-së dhe Vatikani, hapë përfaqësi diplomatike në vendet që njohin Pekinin me emrin "Misioni Ekonomik dhe Kulturor Taipei".