Ekip
06 Shtator 2021•Përditësim: 07 Shtator 2021
Një djalë trevjeçar i cili u zhduk javën e kaluar në pyjet e shtetit australian të Uellsit të Ri Jugor (New South Wales), u gjet pas kërkimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ekipet e shpëtimit e gjetën vogëlushin Anthony "AJ" Elfalak në bregun e lumit rreth 500 metra nga shtëpia e familjes në pronën e gjerë në Putty, në veri të shtetit.
Djali, i cili kishte autizëm dhe vështirësi në të folur, u pa për herë të fundit në shtëpi të premten, ndërsa luante me vëllezërit e tij. Familja e tij kishte frikë se djali ishte rrëmbyer.
Autoritetet thanë se AJ pësoi disa gërvishtje në këmbë dhe se ai u gjet me rroba të lagura, por se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Babai i tij, Anthony Elfalak, gjetjen e të birit e quajti një "mrekulli".
"Ai u kafshua nga milingonat dhe u rrëzua, por është gjallë. Ai është gjallë", tha Elfalak, duke shtuar se nuk e dinte pse djali ishte larguar.
Më shumë se 100 oficerë policie dhe vullnetarë kërkuan djalin gjatë fundjavës, kurse një automjet i bardhë u ndalua të dielën nën dyshimet e rrëmbimit.