Recep Şakar
19 Shkurt 2016•Përditësim: 20 Shkurt 2016
MELBURN (AA) - Në reagim ndaj qeverisë së Australisë e cila kërkon të dërgojë në qendrat e paraburgimit të vendeve të tjera të rajonit 267 refugjatë ku mes tyre ndodhen fëmijë të lindur në Australi dy gra protestuese në kullën e kafazit 162 metra të lartë në Qendrën e Artit Melbourne kanë vendosur parullën "lejojini të qëndrojnë", raporton Anadolu Agency (AA).
Hannah Patchett (22) dhe Katherine Woskett (25) pasi kanë mbërritur rreth orës 03.30 me orën lokale në Qendrën e Artit janë ngjitur në kullën 162 metra të lartë. Protestueset të cilat e kanë identifikuar veten si aktiviste të pavarura vendosën më pas parullën në fjalë, e cila tashmë është bërë edhe slogani kryesor në protesta në mbështetje të refugjatëve në të gjithë Australinë.
Ligjet në Australi janë të pamjaftueshme për të zgjidhur problemin e refugjatëve
Day Demanual, zëdhënësja e Grupit Aktivist i cili jep mbështetje ndaj protestës së Hannah Patchett dhe Katherine Woskett në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se kjo protestë kryhet në mbështetje të refugjatëve të sëmurë të cilët kërkohet të dërgohen në qendrën e paraburgimit në Nauru.
Demanual, duke vënë në dukje se personat të cilët kërkohet të rikthehen mbrapsht kanë të drejtën e strehimit tha se: "Protestuesit dëshirojnë që 267 refugjatët e sëmurë të mos rikthehen sërish në qendrën e paraburgimit në Manus dhe Nauru dhe mbylljen e kampeve. Ligjet aktuale për refugjatët në Australi janë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut".