Mustafa Deveci
09 Tetor 2018•Përditësim: 10 Tetor 2018
KUDS (AA) - Në një artikull të publikuar në gazetën “Haaretz” të Izraelit thuhet se presidenti i regjimit sirian, Bashar al-Assad, vetë ka ndihmuar në themelimin dhe vendosjen e organizatës terroriste DEASH në Siri, me qëllim për të fituar luftën e brendshme në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në artikullin e shkruar nga Alexander Griffing me titullin “Si ndihmoi Assad në themelimin e DEASH-it për të fituar në Siri dhe për të shpëtuar nga krimi i shekullit”, përfshihet e kaluara dhe rezultatet e luftës në Siri e cila ka nisur në vitin 2011.
Në artikull theksohet se Assadi përdor terrorizmin dhe kaosin si mjet për diskreditim të opozitarëve sirianë në opinionin publik botëror dhe për parandalimin e ndërhyrjes së Perëndimit. Për këtë qëllim, sipas këtij artikulli, Assad në vitin 2011 ka liruar nga burgjet mijëra militantë me qëndrime ekstremiste.
Griffing duke rikujtuar artikullin e publikuar në vitin 2014 në revistën amerikane “Newsweek", në lidhje me atë se “një numër i madh i të ashtuquajturve drejtues të DEASH-it të cilët mbaheshin nëpër burgje të Sirisë, janë liruar nga regjimi”, ka shprehur mendimin se në periudhën kur DEASH-i ka filluar të përhapet në Irak dhe ka filluar që të rrënjoset në Siri, Assad ka lejuar fuqizimin e kësaj organizate.
Në artikullin ku përfshihen edhe qëndrimet e ish-ambasadorit të SHBA-ve në Damask, Robert Ford, thuhet se Ford mendon që Assadi do të vazhdojë të mbajë në dorë drejtimin e Sirisë edhe për një kohë të gjatë.
Duke u shprehur se vendi është shndërruar në rrënoja për shkak të mbetjes nën drejtim të regjimit të Assadit, Ford është shprehur se Siria tani ka rënë në pozicionin e një shteti më të dobët, më të varfër dhe më pak efektiv në rajon.
Ford, i cili njëkohësisht është ambasadori i fundit i SHBA-ve në Damask, ka mbajtur qëndrimin se Assadi dhe ndihmësit e tij nuk mendojnë se mund të gjykohen për shkak të krimeve të luftës, duke filluar nga përdorimi i armëve kimike.