Ecenur Çolak
01 Qershor 2018•Përditësim: 01 Qershor 2018
ROMË (AA) - Profesori i drejtësisë dhe kandidati i përbashkët për kryeministër i partisë së djathtë ekstreme "Lega Nord" dhe Lëvizjes "5 Yjet" (M5S), Giuseppe Conte, i cili është mandatuar sërish nga presidenti italian, Sergio Mattarella, ka njoftuar kabinetin e ri qeveritar në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë italiane ANSA, presidenti Mattarella, pas një takimi në rezidencën presidenciale ka mandatuar Conten me detyrën për formimin e qeverisë. Po ashtu edhe Conte duke pranuar këtë detyrë i ka paraqitur presidentit Mattarella listën e kabinetit qeveritar i cili pritet që sot të bëjë betimin.
Në një deklaratë për shtyp pas takimit Conte është shprehur se "Ne do të punojmë shumë për të arritur objektivat e programit. Do të punojmë me vendosmëri për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë italianëve".
Më pas Conte ka publikuar listën me 18 ministra të kabinetit qeveritar, ku 5 prej tyre janë gra. Disa nga emrat e kabinetit janë: Lideri i M5S, Luigi Di Maio, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Punës dhe Politikës Sociale dhe Zëvendëskryeministër, lideri i "Lega Nord", Matteo Salvini, ministër i Brendshëm dhe zëvendëskryeministër, Giovanni Tria, ministri i Ekonomisë (Lega), Enzo Moavero, ministër i Jashtëm, Alfonso Bonafede, ministri i Drejtësisë (M5S), Paolo Savona, ministër për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe Giulia Grillo, ministre e Shëndetësisë.
- Negociatat për formimin e qeverisë në Itali zgjatën 88 ditë
Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 4 mars në Itali, asnjë parti apo aleancë nuk mundi të fitonte vota për t'u bërë një parti e vetme në pushtet. Për shkak se partitë politike vendosën veto ndaj njëra-tjetrës pas zgjedhjeve, negociatat qeveritare nuk mundën të fillonin që prej 67 ditësh.
Në negociatat për formimin e qeverisë në Itali të cilat zgjatën 88 ditë, "Lega Nord" filloi negociatat me M5S pasi u tërhoq Forza Italia, aleati i saj brenda qendrës së djathtë dhe partia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.
Ndërkohë, Giuseppe Conte, u tërhoq nga mandati për formimin e qeverisë pasi presidenti Sergio Mattarella vendosi veto ndaj Paolo Savona për shkak të qëndrimit të tij “kritikues ndaj euros”, i cili planifikohej të emërohej në kabinet në detyrën e ministrit të ekonomisë. Pas vetos ndaj Savona-s, "Lega Nord" dhe "M5S" theksuan se nuk kishin asnjë mendim që të dalin nga monedha euro.