Ekip
24 janar 2022•Përditësim: 25 janar 2022
Policia gjermane ka arrestuar një të dyshuar pasi disa të shtëna u qëlluan të dielën në një xhami në qytetin lindor Halle, raporton Anadolu Agency (AA).
Të paktën tre plumba goditën dritaret e xhamisë së drejtuar nga Qendra Kulturore Islame e Halle-it, por askush nuk u lëndua në incident, tha policia në një deklaratë.
Një 55-vjeçar, me banim në një banesë matanë xhamisë, është identifikuar si i dyshuar i mundshëm, pasi policia ka marrë informacione nga disa dëshmitarë.
Policia ka gjetur një armë të gjatë dhe një pistoletë me gaz, gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit.
I dyshuari nuk kishte të dhëna për vepra penale, por hetimet janë duke vazhduar, theksoi policia.
- Shoqatat islame dënojnë sulmin me armë ndaj xhamisë
Përfaqësuesit e shoqatave muslimane në Gjermani dënuan gjuajtjen me armë në Shoqatën e Qendrës Kulturore Islame, në të cilën gjendet një xhami, në qytetin Halle të shtetit të Saksonisë-Anhalt.
Kryetari i Këshillit Qendror të Muslimanëve në Gjermani (ZMD), Aiman Mazyek, duke theksuar se dhuna dhe urrejtja nuk duhet lejuar, tha: "Ne duhet të vazhdojmë të kundërshtojmë armiqësinë kundër Islamit, antisemitizmin dhe të gjitha llojet e armiqësive të njerëzve së bashku”.
Duke kujtuar se ka pasur një sulm terrorist në një sinagogë në qytetin e Halle në tetor 2019, Mazyek tha: "Ne e dimë se racizmi nuk mbetet në fjalë, veçanërisht pas sulmit terrorist në sinagogën në Halle".
- "Komuniteti ynë nuk ndihet i sigurt"
Mazyek u shpreh se xhemati ka frikë dhe nuk ndihet i sigurt pas incidentit, duke shtuar se për këtë arsye në xhami është kufizuar falja e namazit, janë kufizuar shërbimet dhe të gjitha këto janë kryer nën mbrojtjen e policisë.
Duke falënderuar policinë për mbrojtjen, Mazyek tha se presin zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në deklaratën e Këshillit Islam të Gjermanisë, thuhet se ky sulm duhet dënuar me termat më të ashpër.
“Jemi të lehtësuar që askush nuk është lënduar dhe i dyshuari është arrestuar”, thuhet në deklaratë.
- “Këto janë zhvillime shqetësuese”
Në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, kKryetari i Organizatës së Vizionit Kombëtar të Bashkësisë Islame (IGMG), Kemal Ergün, dënoi ashpër sulmin anti-islamik në xhaminë në Halle, duke thënë: "Këto janë zhvillime alarmante dhe fatkeqësisht nuk janë incidente të izoluara. Ne besojmë se autori ose autorët të jenë kapur dhe të dënohen me dënimin e merituar".
- "Sulmet kundër muslimanëve po shtohen"
Kreu i Federatës Islame të Berlinit, Murat Gül, dënoi dhunën në rritje në Gjermani dhe tha: "Sulmet kundër muslimanëve dhe institucioneve të tyre po shtohen. Kjo duhet të ndalet".
Gül dëshiron që sulme të tilla të ndëshkohen më ashpër.
Departamenti i Policisë Halle tha se dy persona, të cilët ndodheshin dje pranë Qendrës Kulturore Islame, kanë dëgjuar të shtëna armësh dhe kanë kuptuar se tre plumba kanë goditur fasadën e ndërtesës. Më pas policia ka bërë të ditur se kanë gjetur dy armë në shtëpinë e një 55-vjeçari në një banesë përballë xhamisë dhe ato janë konfiskuar.
Gjermania ka qenë dëshmitare e rritjes së racizmit dhe islamofobisë në vitet e fundit, të nxitur nga propaganda e grupeve dhe partive të ekstremit të djathtë, të cilat janë përpjekur të ngjallin frikë nga muslimanët dhe emigrantët për të fituar më shumë vota.
Një vend me mbi 82 milionë banorë, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Në mesin e afro 4,7 milionë muslimanëve të vendit, 3 milionë janë me origjinë turke.