Emre Gürkan Abay
25 Janar 2022•Përditësim: 26 Janar 2022
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, tha se vendi i tij me shumë mundësi do të marrë pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya këtë vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një video-konferencë për media, Pashinyan përmendi fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Armenisë dhe Turqisë, duke thënë se do të ishte e paarsyeshme të humbet mundësia për dialog.
Ai shtoi se nëse procesi vazhdon, ka një mundësi të lartë që Armenia do të pranojë ftesën për të marrë pjesë në aktivitet.
Forumi vjetor do të mbahet në datat 11-13 mars me temën "Rikodimi i diplomacisë".
Turqia dhe Armenia kanë qenë në mosmarrëveshje prej kohësh për sa u përket disa çështjeve, nga refuzimi i Armenisë për të njohur kufirin e përbashkët e deri te incidentet gjatë Luftës së Parë Botërore.
Gjatë vitit të kaluar, Ankaraja i ka kërkuar vazhdimisht Jerevanit të ndryshojë qasjen armiqësore dhe të punojë për paqen rajonale.
Takimi i parë i përfaqësuesve specialë nga të dyja vendet u mbajt më 14 janar në kryeqytetin rus, Moskë.
Sipas një deklarate të MPJ-së turke, palët shkëmbyen mendime paraprake mbi procesin "në një atmosferë pozitive dhe konstruktive" dhe "ranë dakord të vazhdojnë negociatat pa parakushte me qëllim normalizimin e plotë".
Pashinyan shpreson gjithashtu për një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin, pas konfliktit 44-ditor mbi Malësinë e Karabakut në fund të vitit 2020.
Deri në kohën kur një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Rusia i dha fund luftimeve, Baku kishte çliruar disa qytete dhe 300 vendbanime që ishin të pushtuara nga Armenia për gati 30 vjet.