Ekip
29 Qershor 2022•Përditësim: 29 Qershor 2022
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se Argjentina është në rrugën e duhur për t'u bërë anëtare e grupit BRICS të ekonomive në zhvillim së bashku me Iranin, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sigurisht, edhe Argjentina edhe Irani janë kandidatë të denjë dhe të respektuar, si dhe një sërë vendesh të tjera që po ashtu përmenden në diskutime", tha Lavrov, i cili ndodhet në një vizitë pune në Ashgabat, kryeqytetin e Turkmenistanit.
Gjatë konferencës së tij për shtyp, Lavrov konfirmoi se procesi paraprak për inkorporimin e Argjentinës tashmë ka nisur dhe se vendimi përfundimtar në lidhje me pranimin e të dy vendeve "do të merret me konsensus".
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, konfirmoi gjithashtu në aplikacionin e mesazheve Telegram se Argjentina dhe Irani kanë paraqitur zyrtarisht aplikimet e tyre për t'u bërë anëtarë të BRICS - një organizatë ndërqeveritare joformale e pesë ekonomive të mëdha në zhvillim që kërkon të zhvillojë dialogun dhe bashkëpunimin shumëpalësh dhe mund të bëhet ndër ekonomitë kryesore në të ardhmen e afërt.
Organizata u themelua në vitin 2009 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina dhe mbajti samitin e saj inaugurues në Yekaterinburg, Rusi. Afrika e Jugut u bë anëtare në vitin 2010.
Sot, BRICS përbën mbi 40 për qind të popullsisë së botës dhe rreth 26 për qind të ekonomisë globale.
Javën e kaluar, presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, kërkoi që vendi i tij të bëhej anëtar i bllokut gjatë samitit të tij të 14-të nëpërmjet video-konferencës.
Fernandez, i ftuar nga presidenti kinez Xi Jinping, tha se "aspirojmë të bëhemi anëtarë të plotë të këtij grupi kombesh që tashmë përfaqëson 42 për qind të popullsisë së botës dhe 24 për qind të prodhimit të brendshëm bruto global".