Dejan Maksimoviç
23 Maj 2018•Përditësim: 23 Maj 2018
BUENOS AIRES (AA) – Kombëtarja e Argjentinës në futboll nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e portierit të saj të parë Sergio Romero, i cili pësoi një dëmtim gjatë stërvitjeve për Botërorin "Rusi 2018", transmeton Anadolu Agency (AA).
Romero, që është portieri i dytë i Manchester Unitedit, të hënën u gjet në listën përfundimtare me 23 futbollistë të trajnerit Jorge Sampaoli, për të cilët ka llogaritur në kampionat.
Përveç tij, Sampaoli ftoi edhe portierët Willy Caballero (Chelsea) dhe Franco Armani (River Plate).
Megjithatë, Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) përmes rrjeteve sociale njoftoi se Romero nuk do të luaj në kampionat nga shkaku i një dëmtimi të pësuar.
“Sergio Romero pësoi një bllokadë të rëndë të gjurit, për çka do të mungojë në Kampionatin Botëror në Rusi”, thuhet në njoftimin e AFA-s.
Mungesa e Romeros, paraqet një goditje të rëndë për kombëtaren argjentinase, meqë bëhet fjalë për portierin i cili mbrojti në të gjitha 18 ndeshjet kualifikuese të Argjentinës.
Federata nuk bën të ditur se cili portier do të ftohet për të mbushur numrin e nevojshëm prej tre portierësh.
Romero ka mbrojtur ngjyrat e Argjentinës në gjithsej 94 ndeshje, ndërsa në karrierën e tij të portierit ai ka mbrojtur për klubet Racing Club, AZ Alkmaar, Sampdoria, Monaco dhe Manchester United.
Argjentina ndodhet në grupin D, bashkë me Kroacinë, Islandën dhe Nigerinë.