Bekim Laci
21 Janar 2016•Përditësim: 22 Janar 2016
RIJAD (AA) – Muftia i Madh i Arabisë Saudite, shejh Abdullah al-Sheikh, ka ndaluar lojën e shahut në vendin e tij duke theksuar se loja është e ndaluar edhe në islam, pasi nxit “bixhozin dhe është humbje kohe”, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç shkruan e përditshmja britanike "The Guardian", gjatë pjesëmarrjes në një emision televiziv, Al-Sheikh ka dhënë një fetva për aktivitetet e përditshme të muslimanëve.
Shahu, siç ka theksuar ai, përfshihet si bixhoz, por në të njejtën kohë paraqet humbje kohe dhe shkakton urrejtje ndër lojtarët.
Më herët edhe ajatollahu Ali al-Sistani, i cili është lideri më i lartë shiit ndaloi lojën e shahut.
Pas revolucionit të vitit 1979, Irani ndaloi lojën e shahut e cila llogaritet "haram" pasi shumë zyrtarë fetarë e konsideronin bixhoz.
Në vitin 1988 lideri suprem Homeini shfuqizoi ndalesën e shahut, përderisa loja nuk shërben për bixhoz.
Aktualisht, Irani ka shoqatë aktive për shah, ndërkohë që lojtarët e vet i dërgon edhe në gara ndërkombëtare.
Në vitin 2000, Arabia Saudite ndaloi Pokemonin e kompanisë Nintendo, me arsyetim se nxit sjellje anti-islamike.