Büşra Selvi Öğütcen
03 Janar 2017•Përditësim: 03 Janar 2017
ZAMBOANGA (AA) – Në kuadër të vizitës së vullnetit të mirë, anijet luftarake të Rusisë kanë arritur në portin e kryeqytetit të Filipineve, Manila, raporton Anadolu Agency (AA).
Në lajmet e shtypit lokal njoftohet se anijet luftarake në të cilat ndodhen edhe zyrtarë të Flotës Ushtarake Ruse do të qëndrojnë në Filipine katër ditë.
Kundëradmirali Eduard Mikhailov, zv/komandanti rus për Paqësorin, në një deklaratë në Portin Jugor të Manilas ka theksuar se janë të gatshëm t’i mbështesin Filipinet në luftën kundër terrorizmit dhe piratëve.
Duke theksuar se terrori dhe pirateria janë ndër problemet më kryesore, Mikhailov ka thënë se Rusia ka përvojë në luftën me këto probleme dhe se këtë përvojë mund ta ndajë me Filipinet përmes stërvitjeve ushtarake që mund t’i realizojë në të ardhmen.
Mikhailov ka bërë të ditur se në kuadër të vizitës do të takohen zyrtarët e Flotave Ushtarake të të dy vendeve, ndërsa vizita do të përfundojë me një stërvitje të përbashkët detare.
Sipas tij, Rusia dëshiron të organizojë stërvitje të përbashkët me pjesëmarrjen e Filipineve, Kinës dhe Malajzisë. Ai shtoi se siguria e rajonit është detyra e tyre kryesore.
Ndërkaq, presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte pas fitores në zgjedhje më 9 maj pati deklaruar se “Manila nuk do të mbështetet në qeverinë e Washingtonit, por do të zbatojë politika të pavarura”, duke i bërë madje thirrje forcave speciale amerikane në Mindanao që të tërhiqen.