Ethem Emre Özcan,Ömer Koparan
11 dhjetor 2024•Përditësim: 11 dhjetor 2024
QUNEITRA (AA) - Agjencia Anadolu ka filmuar tanket e Izraelit që pushtojnë rajonin Quneitra në jugperëndim të Sirisë, duke shtuar sulmet ajrore pas rrëzimit të regjimit Baath, raporton Anadolu.
Izraeli, i cili ka rritur sulmet e tij ajrore pas rrëzimit të regjimit Baath në Siri, dje shkoi edhe përtej Lartësirave Golan duke pushtuar territoret në vijën Liban-Siri dhe duke u futur deri në rreth 25 km afër Damaskut.
Në pamjet e regjistruara nga ekipet e agjencisë Anadolu në terren, vërehen tanket izraelite që janë të pozicionuar në rrugët e rajonit Quneitra.
Dje, në një deklaratë nga ushtria izraelite u theksua se janë kryer sulme ajrore ndaj 320 "objektivave strategjikë" që nga rrëzimi i regjimit Baath.
Në mesin e objektivave që u goditën janë sistemet e mbrojtjes ajrore të Sirisë, depot e armëve, avionët ushtarakë dhe helikopterë si dhe anijet luftarake, thuhet në deklaratën ku ndër të tjera u pretendua se në këto sulme u eliminuan "më shumë se 70 për qind" e kapacitetit ushtarak të Sirisë që kishte mbetur nga regjimi Baath.