Yusuf Alioğlu,Ali Semerci
11 Dhjetor 2024•Përditësim: 11 Dhjetor 2024
Algjeria dënon "ashpër" përpjekjet e ushtrisë izraelite për të pushtuar territorin e Sirisë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë një qëndrim të përbashkët për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin territorial të Sirisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, Ministria e Jashtme e Algjerisë ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të ushtrisë izraelite për të pushtuar tokat siriane, duke përfituar nga zhvillimet e fundit.
"Algjeria dënon fuqishëm shkeljen e sovranitetit të Sirisë nga ana e ushtrisë izraelite dhe sulmin në territorin e saj duke pushtuar zonën tampon në Golanin e pushtuar duke njoftuar se ka anuluar Marrëveshjen e Ndarjes së Forcave", thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e ministrisë theksohet se ushtria izraelite e bëri këtë përpjekje, "duke përfituar nga situata aktuale në Siri dhe paqëndrueshmëria në rajon, për të imponuar një fakt të ri të kryer që është në përputhje me politikën ekspansioniste dhe kolonizuese të ndjekur nga qeveria izraelite".
Gjithashtu u dënuan sulmet e intensifikuara së fundmi të ushtrisë izraelite ndaj objekteve dhe institucioneve siriane.
Më tej thuhet se Algjeria është e përkushtuar ndaj qëndrimit të saj të vendosur në mbështetje të unitetit të Sirisë, integritetit territorial dhe të drejtës së saj legjitime për të rimarrë Golanin e pushtuar në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet përkatëse ndërkombëtare.