Rabia İclal Turan
14 Korrik 2023•Përditësim: 15 Korrik 2023
Sindikata që përfaqëson aktorët e Hollywood-it njoftoi zyrtarisht hyrjen në grevë të enjten për pagat, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe fitimet nga transmetimi dixhital, duke iu bashkuar më shumë se 11 mijë skenaristëve të filmit dhe televizionit të cilët tashmë ishin në grevë, raporton Anadolu.
Greva e Shoqatës së Aktorëve të Ekranit – Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios (SAG-AFTRA), që shënon mbylljen e parë të Hollywood-it në 63 vjet, do të fillojë në mesnatë.
Greva vjen pasi SAG-AFTRA nuk arritën marrëveshje me Aleancën e Producentëve të Filmave dhe Televizionit. Ndër çështjet që ata negociuan ishin përmirësimi i pagave dhe kushteve të punës. Ata u fokusuan në përdorimin e inteligjencës artificiale në prodhimet e ardhshme. Sindikata kërkon transparencë se si të ndahen fitimet nga transmetimi dixhital.
"Sytë e botës, veçanërisht sytë e punëtorëve janë kthyer kah ne", tha Fran Drescher, presidenti i SAG-AFTRA, në një konferencë për media.
"Ajo që po na ndodh është e rëndësishme. Ajo që po ndodh me ne po ndodh në të gjitha fushat e punës. Kur punëdhënësit e bëjnë Wall Street-in dhe lakminë si prioritet të tyre dhe harrojnë kontribuesit thelbësorë që e bëjnë makinën të funksionojë, ne kemi një problem", tha ajo.
"Nuk mund ta ndryshoni modelin e biznesit aq sa ka ndryshuar dhe të mos prisni që të ndryshojë edhe kontrata", tha Drescher.
Sindikata e Autorëve të Amerikës (WGA), sindikata që përfaqëson 11.500 autorë të filmit dhe televizionit, hyri në grevë më 2 maj, gjë që ndërpreu prodhimin e shumë shfaqjeve dhe filmave.
Shumica e prodhimit të filmit dhe televizionit të Hollywood-it pritet të ndërpritet nga grevat.