Aksidentohet tramvaji në Lisbonë, humbin jetën 17 persona
Autoritetet deklaruan se aksidenti u shkaktua nga një kabllo dhe se vagoni i cili doli nga shinat goditi murin e kthesës dhe u përmbys.

Madrid
Në aksidentin e djeshëm me tramvaj në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, humbën jetën 17 persona, transmeton Anadolu.
Drejtoresha e Shërbimeve të Mbrojtjes Civile të Bashkisë së Lisbonës, Margarida Castro Martins tha se dy persona që u dërguan në spital me plagë të rënda në aksidentin që ndodhi dje në tramvajin turistik në Lisbonë, ndërruan jetë mëngjesin e sotëm.
Ajo tha se numri i të vdekurve në aksident është 17. Martins deklaroi se 19 persona të plagosur, 7 prej të cilëve në gjendje të rëndë, aktualisht po trajtohen në pesë spitale të ndryshme. Sipas saj, 12 nga të plagosurit, të moshës 24 deri në 65 vjeç, ishin femra dhe shtatë ishin meshkuj.
Identiteti i atyre që humbën jetën nuk është bërë ende i ditur. Autoritetet thanë se aksidenti u shkaktua nga një kabllo dhe se vagoni i cili doli nga shinat goditi murin e kthesës dhe u përmbys.
Më thuhet se tramvaji është servisuar për herë të fundit në vitin 2024. Tramvaji turistik, i njohur si "Gloria Ashensor", në qendër të Lisbonës, pësoi një aksident dje në orën 18:08 sipas orës lokale.
Qeveria portugeze shpalli ditë zie kombëtare, ndërsa Bashkia e Lisbonës shpalli tri ditë zie.
"Gloria Ashensor", një monument historik i Lisbonës, u hap në vitin 1885. Ai përbëhet nga dy vagonë, secili me 22 vende dhe 20 vende në këmbë dhe përshkon 275 metra në dy minuta. Aktualisht përdoret për qëllime turistike.
Vitin e kaluar, Lisbona mirëpriti 8,5 milionë turistë dhe rreth 3 milionë njerëz përdorin tramvajët çdo vit, të cilët konsiderohen një pasuri historike.