Ekip
18 Qershor 2017•Përditësim: 18 Qershor 2017
MADRID (AA) - Si pasojë e zjarrit të rënë në pyjet në afërsi të qytetit Pedrogao Grande në Portugali, që prej të shtunës deri më tani të paktën 57 persona kanë humbur jetën, raporton Anadolu Agency (AA).
Njoftimi është bërë publik nga Sekretari i Shtetit, Jorge Gomes, i cili për mediat ka konfirmuar se në zjarrin e rënë kanë humbur jetën të paktën 57 persona.
Duke vënë në dukje se 30 persona kanë humbur jetën ndërkohë që ishin në makinat e tyre, Gomes ka thënë se 17 të tjerë kanë humbur jetën për shkak se kanë qenë afër vatrave të zjarrit. Ai ka vënë në dukje se të paktën 59 persona janë plagosur si pasojë e zjarrit, 18 prej të cilëve ndodhen në spital.
Nga ana tjetër thuhet se Spanja dhe Franca, kanë dërguar avionë për ardhjen në ndihmë në shuarjen e zjarrit.
Ndërsa komisari i Ndihmave Humanitare dhe Administrimit të Krizave në BE, Christos Stylianides, përmes një deklarate me shkrim ka thënë se kanë aktivizuar përpjekjet e mbrojtjes civile për zjarrin në Portugali.
Ai ka ngushëlluar të afërmit dhe ka theksuar se BE-ja është e gatshme të ndihmojë këtë vend për këtë situatë, si dhe ka vënë në dukje se Franca dhe Spanja kanë dërguar avionë për shuarjen e zjarrit.
Ndërsa kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, është shprehur se: "Jemi përballë tragjedisë më të madhe njerëzore. Përparësia jonë është shuarja e zjarrit dhe ndihma ndaj njerëzve të prekur. Krahas helikopterëve dhe avionëve që ndihmojnë nga ajri, për shuarjen e zjarrit janë aktivizuar të gjitha ekipet e zjarrfikësve në vend."
Ndërsa presidenti i vendit, Marceloa Rebelo de Sousa, pak para nisjes drejt vend ngjarjes, ka thënë se nuk ka patur mangësi të mjeteve dhe kapaciteteve kundër kësaj tragjedie.
Për shuarjen e zjarrit janë aktivë më shumë se 1.500 zjarrfikës. Ndërkohë brenda 24 orëve në vend ka dalë zjarr më shumë se në 156 vende të ndryshme.