Fatma Sevinç Çetin
23 Dhjetor 2022•Përditësim: 24 Dhjetor 2022
Ministri i Mbrojtjes i Türkiyes, Hulusi Akar, ka deklaruar se vendi i tij mbështet përpjekjet që synojnë normalizimin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Azerbajxhanit në Ankara, Akar tha se Türkiye mbështet normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Bakut dhe Jerevanit.
Përveç kësaj, tha ai, Ankaraja “është kundër çdo situate që nxit ngërçin”.
Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nga Azerbajxhani dhe Armenia pas luftës 44-ditore në shtator të vitit 2020 për rajonin e Karabakut, Akar tha se me nënshkrimin e marrëveshjes, Türkiye ka bërë “më të mirën e saj për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për të krijuar një atmosferë paqeje dhe qetësie në të gjithë Kaukazin”.
Ai gjithashtu theksoi se është e nevojshme të dihet se Azerbajxhani ka të drejtë në kauzën e tij dhe kjo duhet të shpaloset qartazi kudo.
Türkiye “vazhdimisht e shpalos këtë në platformat ndërkombëtare, veçanërisht në platformat e NATO-s dhe në marrëdhëniet dypalëshe”, tha ai.
Po ashtu, forcat e armatosura të të dy vendeve po punojnë shumë për modernizimin e ushtrisë së Azerbajxhanit, tha Akar, duke shtuar se këto përpjekje vazhdojnë me “sukses të madh”.
Ai tha gjithashtu se vazhdojnë bashkëpunimi me Azerbajxhanin për trajnimin ushtarak, punimet e riparimit të industrisë së mbrojtjes dhe pastrimin e minave dhe pajisjeve shpërthyese të improvizuara.
Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë 44-ditore në shtator 2020 për rajonin e Karabakut, territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone të tjera.
Gjatë luftës, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe mbi 300 vendbanime dhe fshatra që ishin të pushtuara nga Armenia për gati 30 vjet.